“Nuk e mendoj aspak rënien…”, ish- mbrojtësi kuqeblu: Revolucion total, të afrohen futbollistët shkodranë tek Vllaznia

Luan Zmijani beson te mbijetesa. Vllaznia nuk e shmangu dot as këtë vit “play out”- in, e megjithatë ish-mbrojtësi mendon se Hysen Dedja do të dijë ta motivojë dhe përgatisë grupin që ta kalojnë me sukses këtë duel. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi analizon shkaqet që e çuan ekipin deri në këtë pikë. Pandemia dhe merkatoja jo fort cilësore, kanë pasur ndikimin e vet në gjendjen e kuqebluve. Ai jep “recetën” për të ardhmen, ndërsa paralajmëron se duhet revolucion.

Vllaznia as këtë vit nuk iu largua dot zonës së rrezikut. Si e shpjegoni këtë situatë?


Pandemia është arsyeja kryesore që skuadra ndodhet në këtë situatë.

Problemin ju e shihni vetëm te gjendja fizike?

Pa diskutim. Skuadra duhet të stërvitej ashtu siç bënë ekipet tjera. Nuk ishte e mjaftueshme vetëm përgatitja individuale apo me grupe të vogla.

Po merkatoja nuk kishte ndikim?

Normal që merkatoja është pjesa më e rëndësishme në një skuadër. Aty është çelësi i suksesit, prandaj kuptohet pse jemi këtu.

Vllaznisë do i duhet të luajë “play out”-in me çiftin fitues të Pogradeci-Besëlidhja. Sa shanse ka që të mbijetojnë dhe të shmangin rënien nga kategoria?

Nuk e mendoj aspak rënien, Vllaznia do të shpëtojë. Kam besim te lojtarët tanë dhe sidomos te trajneri Hysen Dedja. Ai do të dijë t’i motivojë dhe karikojë djemtë për këtë sfidë kaq delikate që do të na presë për mbijetesë.

Nëse shpëtojnë, çfarë duhet ndryshojë te kjo skuadër që të mos përsëritet e njëjta histori?

Duhet një revolucion total. Duhet ndërhyrë aty ku ka nevojë më tepër skuadra, me afrime cilësore. Shpenzimet e kota mund të evitohen, ku kemi lojtarë të produktit tonë. Duhet të mos futemi në merkato, por të shikojmë edhe nga prodhimi ynë.

E shihni zgjidhjen te shkodranët me pak fjalë…

Pa diskutim. Duhet menjëherë të afrohen lojtarët shkodranë që luajnë në skuadrat të tjera, gjithmonë nëse është e mundur. Këtu e kam fjalën për elementë që kanë dalë nga akademia. Me sa di unë Hoxha e ka përfunduar kontratën me Besën, po ashtu edhe Isufi me Luftëtarin, duhet të shihen me kujdes edhe Gruda, Qardaku apo Kalaja, Vecaj, Hakaj e Pjeshka. Ndoshta edhe ndonjë tjetër, që edhe nuk kanë kosto financiare shumë të larta. Prandaj nuk e përmenda Çinarin, se është një lojtar që momentalisht nuk është për kuotat e Vllaznisë.

Si e shikoni faktin që FSHF po merr një vendim për rikthimin e ekipeve U21?

Atyre lojtarëve që nuk u jepet mundësia që të afrohen menjëherë sapo i mbaron mosha tek U-19, për tek ekipi i parë. Këtu duhet të vlerësohet maksimalisht nga ana e drejtuesve një gjë e tillë.

 ABCOM ║ VODAFONE