Trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz, në intervistën e dhënë për “Gol pas Goli” në Supersport, deklaroi se një pjesë e mirë e lojtarëve që ka në dispozicion nuk kanë nivelin për të luajtur ndeshje të mëdha, gjë që u kushtoi edhe shkodranëve sot.
Një humbje që për mënyrën sesi erdhi, duket se ju ka mërzitur shumë…
Në pjesën e parë lëshuam territor për Tiranën dhe pritëm ta godasim me kundërsulm, gjë që e bëmë mirë. Vuajtëm disi me Ngo’o që vinte mbrapa dhe bashkëpunonte me Tiranën, duke na kërcënuar 2-3 herë. Në pjesën e dytë fola me lojtarët e mi që të markojmë më nga afër kundërshtarët dhe Hygor i kërkova të luajë pranë Bathës. E menaxhuam më mirë dhe ndërtuam disa kundërsulme e raste shënimi, por në fund disa prej lojtarëve tanë janë nivel mesatar dhe ndaj Vllaznia vuan kur luan ndeshje të mëdha, të cilat i humb me një gjuajtje në portë. Kjo nuk është një rast, por një gjuajtje e zakonshme për portierin, por gjithsesi ky është futbolli.
E përgëzuat apo e kritikuat skuadrën pas ndeshjes?
Unë po flas për disa lojtarë që kanë nivel mesatar dhe jo të lartë, ndaj nuk dinë t’i luajnë ndeshjet e mëdha. Nuk e di pse për disa minuta e mbyllëm lojën, ndonëse u kërkova të hapeshin dhe të provonin kundërsulmin. Po shkonte mirë dhe mund ta mbyllnim lojën edhe me një pikë, por në fund erdhi një gabim që na kushtoi ndeshjen.
Krymi ka qenë lojtar i ekipeve të moshave. Pse ishte jashtë sot?
Në 2-3 ndeshjet e fundit nuk ka luajtur mirë dhe nuk ka qenë në formë, ndaj kam preferuar lojtarë të tjerë si Gurishta, që ka gjendje fizike të mirë në këto momente. Unë nuk kam probleme me asnjë lojtar dhe aq më pak me Krymin, që e mbështes, por kjo është puna ime, që të zgjedh më të mirët. Nuk aktivizova as Hristov e Sidorenco, pasi kjo është ndeshje shumë e veçantë për Vllazninë dhe preferova të aktivizoj shkodranët si Shtubina e Lika.
Keni luajtur 11 ndeshje në shtëpi dhe keni marrë vetëm 12 pikë? Pse ndodh kjo? Pse Zogaj luan pak, kur me aktivizimin e tij duket sikur ndryshon diçka?
E kam thënë më përpara që disa lojtarë kanë nivel mesatar dhe nuk janë gati për të çuar Vllazninë në Kupat e Europës. Lojtarët dhanë gjithçka sot, veçanërisht në pjesën e dytë, ku edhe krijuam dy raste shumë të mira me Zogajn e Junior, por i humbëm dhe mesa duket edhe fatin nuk e patëm në anën tonë. Pjesën e dytë aktivizova lojtarë të rinj, që luajtën mirë, por në ndeshje të rëndësishme diferencën e bëjnë detajet dhe duhet të punojmë më shumë me anën mendore të futbollistëve. Me këtë buxhet dhe këto lojtarë, Vllaznia po jep gjithçka dhe duke punuar shumë, mund të shkojmë më lart. Megjithatë kemi nevojë për më shumë mbështetje dhe një fushë më të mirë për stërvitje. Nuk është për mua, pasi mund të rri pak vite, por mund të iki edhe nesër, ndaj infrastruktura duhet për ekipin. Shpesh herë nuk luajmë shpejt, pasi në fushën stërvitore na duhen 2-3 sekonda për të kontrolluar topin për shkak të terrenit të vështirë dhe kur vijmë në këtë fushë, nuk jemi gati të lëvizim shpejt topin.