Vetëm kjo kishte ngelur pa e parë, pa qenë dëshmitarë. Një notere në Tiranë, nga sot ka marrë atributet e Presidentit të Republikës. Arta Vorpsi, e zgjedhur “me heshtje” antare e Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës, u paraqit para një notereje dhe u betua për detyrën e re. Betimi u bë me dorën në Kushtetutë dhe dokumenti u hartua në katër kopje, njëra prej të cilave i dërgohet edhe Presidentit të Republikës.
Ky shtet është (ndjesë për shprehjen!) pjerdhur totalisht. Kishte mbetur vetëm ky episod për të arritur nivelin më të lartë të degjenerimit total.
Zonja Vorpsi nxitoi për arsye që vetëm ajo i di. Me përjashtim të Besnik Muçit, asnjë nga të zgjedhurit në Gjykatën Kushtetuese, qoftë nga Presidenti, qoftë nga Kuvendi, nuk kanë bërë akoma betimin para Ilir Metës. Antarja e kontestuar nga Presidenti i Republikës, nuk kishte asnjë arsye të ndërmerrte një hap absurd, sidomos për një person që ka detyrë të mbrojë kushtetutshmërinë e funksionimit të shtetit. Nëse thirreshin të zgjedhurit e tjerë dhe do të përjashtohej Vorpsi, atëherë kësaj i lindte e drejta të gjente rrugë “alternative” betimi.
Nxitimi i zonjës Vorpsi shkoi edhe më përtej. Ajo u fotografua nga mediat duke ngjitur shkallët e Gjykatës Kushtetuese mbase për të dorëzuar betimin para noterit, mbase për të nisur menjëherë nga puna.
Ata që kanë miratuar Kushtetutën, kanë përcaktuar një moment shumë të rëndësishëm dhe jo vetëm protokollar: Betimin e drejtuesve të institucioneve të shtetit para Presidentit të Republikës, duke e konsideruar marrje zyrtare të detyrës. Kjo ndodh edhe për kryeministrin e ministrat, pavarësisht se ata mbështeten nga votat që kanë në Kuvend.
Ata që kanë hartuar apo ndryshuar Kushtetutën, nuk kanë mundur të parashikojnë situata absurde, siç është edhe kjo më e fundit për Gjykatën Kushtetuese ku Presidenti dhe Kuvendi janë në sherr për emërimin e një antari të saj. Të dy palët, siç ndodh gjithmonë përbetohen mbi të njëjtën Kushtetutë, të njëjtat ligje, se i kanë zbatuar “gërmë për gërmë”. Por “të drejtën” mund ta ndajë vetëm Gjykata Kushtetuese. Ajo gjykatë, njëra antare e të cilës, i drejtohet noterit për tu betuar edhe pse Kushtetuta e ligji organik përcaktojnë qartë se: Betimi bëhet para President, përveç të tjerave, si person mbi palët dhe që përfaqëson unitetin e kombit (të paktën sipas Kushtetutës!).
Imagjoni pak se zonja Vorpsi, nëse do të arrijë ndonjëherë në një nga karriket e Gjykatës Kushtetuese, do të jetë ajo që do të garantojë kushtetutshmërinë e funksionimit të institucioneve?! Veprimi i sotëm i kësaj zonje, do të ishte i mjaftueshëm që ajo të shkarkohej me ceremoni edhe nëse do të ishte vertetë antare e Kushtetueses. Madje, të përjashtohej përjetësisht nga çdo institucion që ka lidhje me të drejtën në këtë vend.
Në fakt, askush nuk mund ta thotë se zonja Vorpsi është antare e Gjykatës Kushtetuese. Ajo nuk ka një dekret presidencial. Baza e vetme e saj, është botimi i një njoftimi në Fletoren Zyrtare. Por kjo e fundit, ka kohë që është bërë pusull bakalli, privatizuar nga ata që e botojnë. Një dekret të Presidentit e botojnë, një tjetër jo. Nëse Kuvendi nuk e njeh Fletoren Zyrtare (rasti i anulimit me dekret nga Meta të 30 qershorit), pse duhet ta njohë Presidenti në rastin e miratimit “me heshtje” të zonjës Vorpsi?!
Këtë shtet rrumpallë, e kanë sjellë në këtë deregje ata që sot po tallen me të, me Kushtetutën e në fund me shqiptarët. Po të njëjtën, po “vjelin” edhe frytet që janë vetëm: Copa m#ti…/Nga Blerti DELIJA/