
Shkruan në Facebook kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj: Kisha kënaqësinë e veçantë të takoja në zyrën time z. Gjovalin Pllumaj nga Vermoshi bashkë me familjen e tij të mrekullueshme.
Mik i veçantë dhe sipërmarrës i suksesshëm, Gjovalini është model frymëzimi, pasi ishte ndër të parët që hapi sipërmarrjen familjare “Bujtina e Fratit”.
Një projekt risi për kohën, i cili shërbeu si udhërrëfyes që edhe shumë të tjerë të zbulojnë potencialin e jashtëzakonshëm turistik të Vermoshit dhe Kelmendit.
Përmes Bujtinës së tij, ai ka arritur të promovojë bukuritë natyrore dhe traditat më të mira të vendit tonë.
Gjatë takimit diskutuam për sfidat dhe mundësitë që sjell turizmi malor, si dhe për “Paketën e Maleve”, një projekt ambicioz i qeverisë shqiptare që synon të mbështesë dhe nxisë nismat si kjo e Gjovalinit. Ky projekt është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe për ruajtjen e trashëgimisë sonë natyrore dhe kulturore.
Jam i bindur se përpjekjet e individëve si Gjovalini, të cilët me vizionin dhe përkushtimin e tyre kontribuojnë në promovimin e zonës sonë, do të gjejnë gjithmonë mbështetje nga bashkia dhe qeveria shqiptare.
Vermoshi dhe gjithë Kelmendi kanë potencial të jashtëzakonshëm, dhe së bashku do të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për turizmin dhe zhvillimin ekonomik të zonës.