Një person me motor, me skafandër në kokë është autori, kamerat “kapin” autorin e vrasjes së 57 vjeçarit në Shkodër

Një person me motorr, me skafandë në kokë, është autori i vrasjes së 57-vjeçarit Ismet Çekorja. Kjo është ajo çfarë kanë evidentuar kamerat e sigurisë në vendngjarje, në lagjen “Guerrilë” aty ku u ekzekutua me 7 plumba pistolete 57-vjecari Ismet Çekorja.

Burime pranë grupit hetimor në Policinë e Shkodrës bëjnë me dije se drejtuesi i motorcikletës ka mbërritur me motor pranë vendit të ngjarjes, është ndalur, ka qëlluar ndaj 57 vjecarit dhe më pas është larguar me shpejtësi. Për shkak të skafandrës, është i pamundur identifikimi i autorit të ngjarjes, por blutë e Shkodrës kanë bërë edhe sekuestrimin e kamerave të tjera të sigurisë në segmente të tjera të Shkodrës, për të parë nëse në ndonjë moment autori ka ceduar duke hequr skafandrën çka do të bënte të mundur identifikimin e tij.


Ngelet ende enigmë nësë 57-vjeçari është thirrur nga një person për të dalë nga banesa edhe pse në momentin e ngjarjes, ai ka qënë disa metra larg banesës së tij pranë një dyqani të vogël duke konsumuar një birrë.

Ndërkohë nga ana tjetër, Policia e shkodrës ka shoqëruar deri tani 8 persona në ambjentet e komisariatit si dëshmitarë në vendin e ngjarjes dhe persona që kanë dijeni për këtë atentat. Në personat që janë shoqeruar nga policia e Shkodrës për të dhënë dëshmi, është edhe 25 vjeçari Alban Bruçi së bashku me të atin e tij. Policia në një nga pistat e hetimit ka atë të hakmarrjes dhe për këtë arsye ka thirrur për të dëshmuar edhe Alban Bruçi, i cili i shpëtoi atentatit mbrëmjen e 25 Gushtit.

Megjithate, Policia e shkodrës ka ngritur disa pista hetimi në lidhje më këtë ngjarje pasi nuk përjashtohen edhe pista të tjera hetimi pasi djali i tij, Bajram Çekorja ka qënë dy herë i ndaluar nga Policia e Shkodrës ndërkohe që ai ka qënë i përfshirë në disa ngjarje në Shkodër.