“Një faull më hoqi dy pikë, lojtarët e Vllaznisë luajnë pastër”, pas Teutës Plori sqaron edhe largimin e Diagne

Trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori foli në emisionin Gol Pas Goli në Supersport pas barazimit 1-1 ndaj Teutës në transfertë. Tekniku i shkodranëve theksoi se para se Teuta të shënonte ka pasur një faull në favor të Vllaznisë, ndërsa shtoi se ekipi i tij luan futboll të pastër, ndërkohë që shpjegoi edhe arsyen e largimit të Diagne.

Zemërimi pas golit të pësuar? “Kur mendon se ke marrë tre pikët dhe pastaj i humbet, të ikën edhe qetësia. Megjithatë, kërkoj falje për ata që më kanë parë. U zemërova se në minutën e 99 kishte një faull dhe u xhindosa me arbitrin, sepse pastaj nuk do të kishte më kohë. Një sekuencë e vogël që bën dallimin, një faull që më ka hequr dy pikë sepse pas asaj goditje këndi erdhi goli i Teutës.


Kur futemi në fushë nuk mendojmë për rivalët, duhet të jemi më të përqëndruar dhe më të zgjuar në mbrojtje të rezultatit. Nuk është e lehtë ta ndryshohsh karakterin e grupit, janë lojtarë që duan të luajnë pastër. Çunat ishin të mirëekuilibruar në fushë, pati edhe gabime. Loja kishte një ritëm të kënaqshëm pas 120 minutave me Partizanin, e kishim analizuar mirë Teutën. Ia arritëm t’i godisnim, na mungoi pasimi i fundit për të mbyllur ndeshjen”.

Gabim në vendosje te goli? “Në minutat e fundit, ka shumë presion dhe kishte gabim në vendosje. Duhej larguar topi, por nuk e kam parë në përsëritje për të folur më qartë për vendosjen”.

Largimi i Diagne? Nuk kemi dashur që të largohet, Diagne ka qenë pjesë e skuadrës. Një ditë para ndeshjes me Partiznin u largua papritur nga stërvitja dhe ishte një gjest i shëmtuar nëse nuk i ka pëlqyer fakti që nuk ishte në formacion. Shpresoj të mos ketë probleme familjare, nuk kemi dashur ta largojmë pasi është me eksperiencë dhe na duhej në këtë moment të kampionatit. Nëse unë kërkoj nuse dhe ajo thotë jo, unë nuk kam çfarë t’i bëj”, u shpreh Plori.