
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka zyrtarizuar hetimin për të parë nëse agjentët e FBI-së kanë përgjuar fushatën presidenciale të Donald Trumpit në vitin 2016 për qëllime të papërshtatshme.
Nisja e hetimeve është mbështetur dhe nga Presidenti Donald Trump, i cili ka thënë se do të kuptojë nëse administrata paraardhëse ka urdhëruar vërtet ndonjë lëvizje të tillë apo jo.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein deklaroi se, nëse zbulohet ndonjë lloj infiltrimi do të merren masa për të gjithë ata që kanë bërë shkelje, shkruajnë mediat e huaja.
Hetimi i ri vjen paralelisht me atë ekzistues mbi lidhjet e drejtuesve të fushatës së Trumpit me rusët dhe mundësinë që Moska të ketë ndikuar rezultatin.
Kërkesa e fundit e shefit të Shtëpisë së Bardhë vjen në mesin e një serie mesazhesh në “Twitter” të dielën, ku denoncohej ajo që ai e quante “një gjueti shtrigash”, e që sipas Trumpit nuk ka gjetur asnjë afrim të stafit të tij të fushatës me Rusinë.
Sa për akuzat drejtuar FBI-së, ato presidenti i lëshoi të premten, kur tha se Byroja kishte dërguar një ekip të sajin për të spiunuar fushatën e tij.
“New York Times” e ndoqi çështjen përmes një artikulli dhe tregoi se ka pasur vërtet një informator, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, por thotë se ai ishte dërguar të fliste me njerëz pranë Trumpit, vetëm pas raporteve për kontakte të dyshimta me Moskën.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!