Nisi sportin për të shpëtuar nga mbipesha, historia frymëzuese e basketbollistit kampion të Vllaznisë…

Si një fëmijë që kishte probleme me mbipeshën, Herion Faslia filloi të merrej me basketboll që në moshë të re. Trajneri i tij pa potencial të madh dhe e inkurajoi që të angazhohej seriozisht në këtë sport. Ka qenë pjesë e disa klubeve si Vllaznia, Teuta, Kamza dhe Trepça e Mitrovicës.

I ftuar në “Abc-ja e mëngjesit”, basketbollisti tregoi rrugëtimin e tij në këtë fushë. “Kisha probleme që në vegjëli me mbipeshën. U bë një shqetësim për familjarët dhe donin që të gjenin një mënyrë ku mundesha të ruaja shëndetin. Babai im njihte një trajner dhe u afrova me ekipin e tij.


Shpesh thosha se nuk kam ardhur me u bërë basketbollist dhe ma kthente ‘ja ku e ke stadiumin, nëse do të vraposh pa arsye’“, tha basketbollisti. Ai ka fituar 3 tituj “Kampion Kombëtar” dhe është shpallur “Lojtari i vitit” 2 herë nga Bashkia Shkodër. Megjithatë, gjatë karrierës është përballur dhe me shumë sfida.

Ai tregoi se kohët e fundit pësoi një dëmtim në sy. “Ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar. Ishte hera e dytë që dëmtoja syrin, por këtë herë ishte më serioze dhe gjatë ndeshjes, kur u ula gjatë ndërrimeve, pashë që diçka nuk shkon. M’u errësua shikimi në syrin e djathtë.

M’u desh që të shkëputesha. Kam bërë dy ndërhyrje, tani jam më mirë.”, tha ai. Së fundmi, Herioni është angazhuar me një shoqatë që ka për qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve sa i përket aktivitetit fizik dhe sportit në veçanti.