Ka startuar sonte në Tiranë Samiti i Dytë i Diasporës, iniciativë kjo e qeverisë Rama 2. Në dy ditë do të bëhen “tym” më shumë se 670 milion lekë ose në rendin e 550 mijë dollarëve amerikanë. Personazhi kryesor do të duhej të ishte pikërisht kryeministri Rama, por mesa duket vetëm ditën e parë. Në Tiranë do të zhvillhet seanca e parë me 1 mars, ku është parashikuar që Basha fillimisht e pas tij Rama, të marrin fjalën. Ndërsa kanë nisur “bastet” nëse dy antagonistët e politikës do të takohen me njëri- tjetrin, Edi Rama nuk do të jetë i pranishëm, të paktën në një pjesë të saj, gjatë punimeve të ditës së dytë që do të zhvillohet në Lezhë me rastin edhe të 575 vjetorit të Kuvendit të Lezhës së Gjergj Kastriot- Skenderbeut.
Në orën 11.00 të datës 2 mars 2019, mediat janë njoftuar për një takim që do të mbahet në Hotel Colosseo me atë që quhet Asambleja e madhe e PS-së Shkodër. Mësohet se Rama do të shoqërohet nga dy ministra: Shahini e Arsimit dhe Lleshaj i Punëve të Brendshme. Nuk ka shumë detaje lidhur me temat e mundshme të diskutimit dhe nëse Rama do të ketë edhe takime të tjera. Ajo që mund të hamendësohet, lidhet me vizitën e sotme të Lulzim Bashës në Shkodër por edhe me përgatitjet për fushatën zgjedhore, ku PS është e vendosur të futet edhe pa opozitën e kryesuar nga PD-ja. Në pamje të parë, mund të lexohet edhe si “karshillëk” për liderin e opozitës në bastionin historik të PD-së, ndërsa nuk përjashtohet që Rama të pritet edhe me ndonjë protestë, aq më shumë se vendi ku do të zhvillohet takimi, është në qendër të qytetit të Shkodrës. /ShkodraWeb/