Prokuroria e Shkodrës ka në duar pamjet filmike të kamerave të sigurisë që kanë fiksuar eleminimin e Fatos Ferracakut në Shkodër, në 14 Nëntor, si dhe lëndimin e mikut të tij, Fatmir Mehaj. Burime zyrtare të prokurorisë i thane Vizion Plus se në pamjet filmike shihet një motor i bardhë, në të cilën ndodhen dy persona, me skafandra në kokë.
Personi i ulur mbrapa, i veshur me xhup të kuq, pantallona të zeza dhe skafandër të bardhë, zbret nga motori dhe pasi i afrohet objektivit hap zjarr, ndërsa personi tjetër, me skafandër në kokë dhe rroba të zeza qëndron mbi motor në pritje të autorit të vrasjes.
Por, pavarësisht këqyrjes që një grup i posaçëm hetimor i ka bërë pamjeve filmike, nuk është bërë ende i mundur identifikimi i vrasësve. Vetëm pak minuta pasi ndodhi ngjarja, motori i dyshuar i përdorur në ngjarje, u gjet i djegur plotësisht në lagjen “Guerile”. Mjeti është dërguar në laborator ku po kryhet ekzaminimi teknik që mund të nxjerrë ndonjë të dhënë të vlefshme për hetimin.
Fatos Ferracaku, u qëllua me breshëri plumbash, ndërsa i plagosur mbeti edhe miku i tij, Fatmir Mehaj. Pas ekzaminimit, rezultoi se Ferracaku kishte 7 plagë hyrëse dalëse në kokë, trup e në krahë. Kurse Mehaj kishte marrë dy plagë në kofshë dhe në këmbën e djathtë.
Policia shoqëroi për të marrë në pyetje 10 persona. Një prej dëshmitarëve okularë tha se pa Fatos Ferracakun te rrëzuar në tokë dhe autorin që teksa po largohej në drejtim të kryqëzimit të “Rusit” ka qëlluar përsëri në ajër. Nisur nga dinamika e ngjarjes, hetuesit kanë dyshime se autorët janë vrasës me pagesë. Pista që po hetohet lidhet me dyshimet se Fatos Ferracaku ka pasur dijeni për konfliktet e kushëririt të tij, Arjan Ferracaku. Ky i fundit u vra po në Shkodër, më 1 Shtator të këtij viti