
Doli nga shtypi dhe e kemi në dorë antologjinë periodike PENA E SHKODRËS 9, organ i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër. Jemi në stacionin e nëntë të një rrugëtimi që ka filluar rreth një dekadë më parë. Ky udhëtim kulturor ka fituar tashmë përmasat e një ngjarjeje letrare nga më të rëndësishmet në qiellin e letërsisë së sotme shqiptare.
Çdo numër i kolanës PENA E SHKODRËS ka paraqitur prodhimtarinë e krijuesve të Shoqatës, të cilët e kanë themeluar dhe vazhdojnë ta mbajnë me dinjitet e ta zgjerojnë me emra të rinj krijuesish këtë strukturë të rëndësishme të artit të fjalës. Në hapësirat e çdo edicioni janë përfshirë pjesa më aktive dhe e spikatur e letrarëve nga të gjitha krahinat shqipshkruese, pa dallime gjeografike apo diferencime të tjera, duke përdorur rendin alfabetik si kriterin e vetëm taksonomik.
Kjo dalje nga kafazi krahinor i jep këtij organi, kësaj shoqërie letrare dhe vetë Shkodrës hirin e kozmopolitizmit kulturor e veçanërisht letrar, që vetë e ka themeluar në hapat primordialë të lindjes së artit të fjalës së shkruar shqipe. Së këtejmi, PENA E SHKODRËS bëhet një zë i përveçëm dhe një tribunë për çdo krijues të denjë mbarëshqiptar.
Në rrjedhën e viteve, të dekadave e më shumë, ky gjerdan i ndritur botimesh nga pjesa e freskët dhe e pabotuar e krijuesve më të spikatur shqiptarë, do të jetë pjesë e vyer e një trashëgimie të njëmendët letrare, qoftë për larminë e përmbajtjes për shkak të emrave të mëdhenj që kanë shkruar në të, qoftë për mundësinë që krijon tek çdo lexues apo studiues i sotëm e i ardhshëm për të shijuar e kuptuar zhvillimet e letërsisë shqiptare të kësaj dekade, me prirjet, risitë, kredot estetike, motivet, procedimet teknike, ndikimet, variacionet gjuhësore në stadet e zhvillimit të tyre në këtë kohë, pra në dekadat e para të shekullit XXI.
Falënderoj së pari anëtarësinë e Shoqatës Pena e Shkodrës që e mbajnë gjallë këtë krijesë kulturore me talentet dhe përkujdesjen e tyre të të gjitha niveleve. Gjithashtu falënderoj të gjithë krijuesit, emra nga më të shquarit e letrave shqipe që ofruan bashkëpunimin me pjesë nga krijimtaria e tyre virtuoze e pabotuar për antologjinë PENA E SHKODRËS 9.
Ky libër ka rreth 400 faqe dhe brenda tij përfshihen 48 autorë në zhanret poezi, prozë, shqipërime nga letërsia e huaj dhe kulturologji. Lexim të këndshëm dhe krijimtari të begatshme artistëve të fjalës!
Kryeredaktori
Zija Vukaj