
Pesë vjet më parë, më 2 nëntor 2015 ndërroi jetë artisti dhe miku ynë i veçantë Fatbardh Smaja. Ikja e tij qe e trishtë për familjarët dhe miqtë e tij. Bardhi la pas vetes një boshllëk të madh human, por edhe artistik.
Veprimtaria e tij është e shumanshme, ashtu siç ishte edhe formimi i tij i pazakontë si regjisor, aktor, skenograf, muzikant, piktor. Një individ i tillë formon profil të ngulitur përjetësisht, sidomos kur dhuntitë artistike kombinohen me një shpirt të dëlirë e të pastër, që rrezaton mirësi, dashuri dhe paqe.
Ikja e tij i ngjau rënies së një luftëtari në fushën e betejës. Sapo kishte përfunduar regjisurën e dramës “Kandili i argjantë” të autorit Martin Camaj, kishte kopsitur gjithçka dhe pritej prova gjenerale. Por gjërat shkuan ndryshe, jashtë parashikimeve dhe dëshirave të të gjithëve.
Bardhi nuk arriti ta shihte provën gjenerale, produktin e tij të shkëlqyer artistik. Natën e provës po luftonte me vdekjen në spital. Ekipi i artistëve u motivua dyfish në mungesë të Bardhit të dashur dhe shfaqja pati suksesin e merituar.
Roli i Bardhit në ngritjen e nivelit artistik të teatrit “Migjeni” është i njohur prej gjithkujt. Njerëz të tillë meritojnë të ndërmenden e të nderohen gjithmonë, pasi ata i japin kuptim madhështisë së një qyteti si Shkodra. /Nga Zija VUKAJ/