
Ex- voto
Në qytetin tonë të vjetër ka pasur gjithmonë njerëz të heshtur, të vetëmënjanuar dhe thuajse të “vetëmjaftuar” me fatin e vet, shpesh deri në oshënari. Kjo kategori individësh e qytetit të Shkodrës “ka fshehur” në gjirin e saj shumë zotërinj të vërtetë, me virtyte e rang të lartë shpirtëror. Në njëfarë mënyre, vetëpërmbajtja e tyre asketike ka qenë një lloj privacioni, i zgjedhur si mënyrë jetese; gjë që ka prodhuar dy efekte të ndryshme: së pari, ka shenjtëruar modestinë e fisme që duhet të ketë qenia e denjë njerëzore, duke i rezistuar nefsit, egos, narcizmit, mburrjes e pompozitetit- edhe kur ke me çfarë të mburresh; edhe kur je i bindur se statura jote i tejkalon shumë herë ato të bashkëkohësve dhe bashkëqytetarëve të tu. E ky është si një martirizim më shumë se etiko- moral, që i ka rrënjët në thellësitë e shpirtrave të mëdhenj.
Së dyti, efekti ose pasoja tjetër rezulton dëmi që shoqëron modestinë apo mosdukjen. Shumica e individëve të tillë jo vetëm që duket sikur jetojnë në retroskenë larg dritave shkëlqimtare e të rreme të skenës pompoze të përditshmërisë, të mbushur më së shumti me tam- tame e fanfara si buçimat boshe të enëve të zbrazura, por fatalisht humbasin në mënyrë përfundimtare dhe nuk kujtohen as pas vdekjes. E, kur rastësisht dikush shkruan për ta ‘post mortum’, dhe “i zbulon”, i nxjerr nga kthetrat gllabëruese të harresës, bën një akt shumë kulturor dhe fisnik. Bën një përshpirtje, një ex-voto, një ndriçim për gjithë komunitetin, gjë që kufizon me gjestet më sublime që shpirti njerëzor ia drejton shpirtit tjetër njerëzor. E truallin e begatë të Shkodrës e kanë populluar shumë individë, për të cilët kujtesa e brezave ka shumë borxhe.
Këto ditë lexova nga një mik gjirokastrit, me banim në Vlorë dhe emigrant në Greqi Edouaro Atanas Skuofis, një shkrim mjaft interesant kushtuar shkodranit Gjergj Kacarosi. Më bëri përshtypje jo vetëm niveli i shkrimit, që pasqyronte një kulturë të thellë të autorit Skuofis- mjek okulist prej gati tri dekadash në Athinë, por mbi të gjitha afeksioni, ndjenja e përshpirtjes dhe e vllaznisë ndaj mikut të tij Kacarosi, portretizimi i këtij të fundit deri në detaje, duke hedhur dritë në tiparet fisnike të Xhorxhos (Gjergjit) sonë dhe në zbardhjen e një pjese të kalvarit jetësor të këtij individi të veçantë. Por gjithë shkrimi, që aq shumë më impresionoi, nuk do të ishte aq i realizuar sikur të mos ishin ndeshtrashat e jetës së personazhit. Gjergji atëbotë ishte emëruar mësues matematike në Vlorë.
I gjendur në një vend të huaj, në qytetin e largët të Vlorës, ky djalosh shkodran strehohet në familjen e Edouardit, pasi babai i tij e kishte sjellë një natë në shtëpinë e tyre. Aty jetoi si në shtëpinë e vet, i përkujdesur dhe i respektuar, duke u shkrirë me këtë familje të fisme, deri sa u transferua në Shkodër. Por koha kur jetoi mes këtyre njerëzve të fisëm, qe e mjaftueshme për të shfaqur shpirtin e tij të pastër, talentin e tij për muzikë, pikturë, matematikë dhe mësimin e gjuhëve të huaja, sidomos italisht, frëngjisht dhe rusisht. I binte saksofonit dhe luante edhe në violinë. U bë pjesëtar i orkestrinës së teatrit të qytetit dhe bëri krahas mësimit në matematikë dhe fizikë, edhe jetën kulturore, duke u shquar si njohës i mirë i instrumenteve por dhe si kompozues pjesësh të ndryshme. Gjithçka si në një ëndërr të bukur… deri një ditë… kur u zbulua brenda tij njolla në biografi. Ai na qenkësh “i deklasuar”. E këtu fillon faqja tjetër e rrugëtimit të tij, ajo e kalvarit.
Duke shpresuar se këto që po shkruaj nuk ia zbehin magjinë shkrimit të autorit dhe pothuajse nuk ezaurojnë asgjë thelbësore të tij, desha të shtoj edhe përshtypjet e mira që Gjergji pati në qytetin e vet. I respektuar prej të gjithë atyre që e njohën, por po aq i panjohur për brendinë e veçantë të një burri të mençur e të heshtur, të ndjeshëm e me shumë talente. Që këtu i shpreh autorit Edouardo Atanas mirënjohjen dhe falënderimin tim personal e i uroj mirësi e suksese. /Nga Zija VUKAJ, publikuar në Facebook/




