Bjeshkët e Veriut kanë tërhequr gjithmonë udhëtarë të huaj, shkencëtarë të fushave të ndryshme, studiues, gazetarë vendas dhe të huaj duke e paraqitur atë si një zonë tepër atraktive jo vetëm nga pasuritë natyrore por edhe nga historitë, legjendat, foklorin, veshjet e etj. Sot këto zona po na shfaqen si atraksion turistik shumë i vrullshëm që për çdo vit numuri i turistëve vazhdon të rritet. Sot turistët terhiqen ma shumë në këto vende nga pasuria e madhe natyrore që kanë bjeshkët dhe malet e Veriut, duke e cilësuar si një nga vendet e rralla në botë me këtë natyrë virgjine. Por flitet pak dhe demonstrohet edhe me pak historia dhe trashëgimia kulturore e këtyre vendeve qe për ta ritur këtë atraksion dhe per t i dhanë edhe vlera të një trashëgimie kulturore duhet treguar që këto vende kanë patur një histori të lavdishme, në luftërat për liri dhe demokraci, që këto vende ka trashëgimi kaq të pasur sa do të çudiste çdo të huaj nëqoftës do dimë ta tregojmë dhe ta demonstrojmë këtë histori. Këtë detyrë sot për sot e kanë edhe pronarët e dhjetra bujtinave që presin me mijëra turistë të cilëts duhet jo vetëm ti ushqejnë me informacionin e pasurive dhe burimeve natyrore por një ushqim i shëndetshëm dhe që do mbesë në kujtesat e tyre është edhe “ushqimi historik dhe kulturor i trevës”. Këtë fat e kanë bujtinat në Malet e Veriut që turistët kanë mundësinë të hyjnë dhe të krijojnë atje një ambjent familjar ndryshe nga turistëtë që vijnë në qytetin e Shkodrës që nuk e kanë të mundëshme të futen dhe të kalojnë edhe fjeten në shumë shtëpi shkodrane Monument Kulture. Unë vetëm po jap disa mendime dhe sugjerime dhe shumë të tjerë kanë mjaft çfarë të shtojnë dhe t i pasurojnë këto sugjerime, duke ditur se turizmi asht ekonomi, mirëqënie, jo vëtëm për zonen e Veriut por edhe për Shkodren se nga qyteti do kalojnë turistët, por njëkohëisht asht edhe demonstrim, promovim i kulturës tonë dhe trashëgimisë tradicionale dhe zakonore që kemi pasur.
1.Mendoj që në bujtina të krijohen minimuzeume kulture ku me foto, dokumenta dhe relike të ndryshme t u tregohet të huajve si asht historia dhe trashëgimia e këtyre trevave. Nëqoftëse nuk gjendet hapësira së paku në muret e koridoreve, dhomave, sallës së ngrënjes të ketë artefakte dhe të gjendet mënyra ma e përshatashme e vendosjes së tyre. Por mendoj që nuk duhet të mungojnë librat e Edit Durhamit (mbretëresha e pakurorëzuar e Malcis) apo gazetares amerikane Rose Leine (gjenden në librarite e Shkodres dhe Tiranës) të cilat para shumë viteve i vizituan këto vende dhe shkruan shumë për historitë e malësorëve, për traditat, luftërat, legjendat dhe shumë gjëra të tjera që ato mund të mos i dijnë. Duhet tu tregohen turistëve se ato erdhen shumë kohë përpaara tyre në këto malësi në kondita tepër të vështira dhe foto për to ka shumë . Është krenari, përveç shumë gjërave të tjera tu tregohet si kanë mbajtur malësorët flokët sepse Edit Duram ka disa skica qe prerja dhe mbajtja e flokëve të disa malësorëve ngjason me ate si po i mbajnë të rinjtë sot. Apo zbulimi i parë që bëri Edit Durham për tatuazhet pagane të malësorëve të Veriut . Të tregohet që Rose Wilder Lane, e quajtur nga malësorët “Lulja e udhës” shkrimtarja amerikane erdhi më 1921per të ndërtuar shkollen në Theth duke sakrifikuar jeten e saj lukzose dhe pau që në mes këtyre maleve është një popull inteligjent që merr vesh nga bota, që e njeh Aleksandrin e Maqedonise si mbretin e tyre dhe por që ruan traditat e një jete fisnore me ligjet e Kanunit të Lek Dukagjinit. Por ka shumë histori, foto dhe relike edhe për Franc Nopçen që vetem fotoja e tij me kostumin e Veriut tregon për dashurinë që ai kishte për këtë trevë. Apo fotot e Robert Elsie i cili ishte i dashuruar pas malësisë sa la amanet që edhe varri ti bahet atje , tregon sa i deshten të huajt keto treva . Por ka edhe të tjerë botanistë, gjeografë, etj që mund të gjenden relike shumë vetëm që duhet të jenë vetë të rinjtë për ti gjetur dhe promovuar në bujtinat e tyre.
2. Mendoj që libri për Kanunin e Lek Dukagjinit që gjendet kudo në libraritë e vendit duhet të jetë në këto ambiente për tju treguar turistëve si asht udhëheqë dhe drejtuar malësia në kushte kur nuk kishte shtet. Dhe këtë malësorët tonë e dijnë ma mire se të gjithë. Kjo duhet të lidhet edhe me Kullen e ngujimit që me sa di unë ajo kullë ka edhe nje minimuzeum ku tregohet për etapat që ka kaluar i ngujuari. Se paku fotot e kësaj kulle duhet të jene në çdo bujtinë sespe ndoshta do jete e pamundur qe ti dergojne atje në vend turistet per çdo moment.
3. Xhubleta, tani e mbrojtur nga UNESCO, e ka vendin për muzeum atje në Malësitë e Veriut , por në mungesë të këtij muzeumi çdo bujtinë duhet të ketë një model të kësaj veshje 4 mijëvjeçare dhe një veshje tipike të malësorit. Po kështu nuk duhet të mungojnë veglat muzikore lahuta, çiftelia deri tek ato me të vjetrat. Nëqoftese nuk sigurohen se paku foto por edhe video me kangë me çifteli. Bujtinat duhet të buçasin nga këngët folklorike të trevës i pëlqejnë apo jo dikuj ato janë një nga pasuritë e mëdha kulturore të malësisë nepërmjet të cilave tregohen aktet e trimërisë, emocionet e dashurisë për vendin, për vashen etj.
4. Ngritja së fundi në Hot të Malësisë së Madhe të muzeut “Kulla e bajraktarëve të Hotit, Muzeu Malësia e Madhe “ është një atraksion shumë i vlefshëm i turizmit kulturor malor i cili do pasurohet vazhdimisht me relike të reja dhe dokumente ku turistë aty do të mësojnë për drejtimin e kaluar të malësisë nepërmjet fiseve luftëtare, patriote dhe që i mbrojten ato toka me gjak.
5. “Logu i Bjeshkëve” një evenimenet kulturor ku manifestohet folklori, etnologjia, bukuria e femrës malësore, xhubleta me të gjithë variantët e saj duhet të jetë një atraksion i bukur për turistët që jo vetëm në diten kur zhvillohet por bujtinat duhet të kenë fotot dhe videot nga ky evenimenet që do të ishte një atraksion tjetër i bukur i trashëgimisë kulturore të malësisë
6. Kulla, e vjetra por edhe ato të ndërtuara sot ma modernisht por duke ruajtur bazen tradicionale të ndërtimit të tyre do ishte tjeter histori e trashëgimisë ndërtimore natyrisht duke patur dhe foto të vjetra të ndërtimit të tyre.
7. Kisha e Thethit një nga treguesit e devocionit fetar është një pasuri jo vetëm fetare por edhe ndërtimore përsa i perket mënyrës dhe kohës së ndërtimit të saj. Kisha e Thethit është një kishë katolike në Theth të rrethit të Shkodrës, e ndërtuar në vitin 1892. Ajo ishte një nga ndërtimet e para në këtë vendbanim, ku banonte edhe famullitari i kishës, At’Shtjefen Gjeçovi, i cili në vitin 1917 hapi edhe shkollën.
8. Mendoj që të këtë sa më shumë foto të heronjve të malësisë . Një nga këto do ishte mirë të promovohej Nora e Kelmendit, me legjenden e saj, muranën si dhe librat e shkruara për te pjesa teatrale në video ose foto. Po kështu figura e Prek Calit që mbrojti kufijtë veriorë duhet të jetë një promocion i guximit i trimëris së çfarë ka ba ky popull për të ruajtur trojet e veta.
9. Virgjinat shqiptare janë një fenomen që në boten perendimore njihet rrallë por konsiderohet interesant. Të tregohet burrnia, sakrifica e tyre për të drejtuar familjet fiset kur nuk kishte meshkuj. Ato luftuann, punuan si burra dhe me dinjitet dhe trimëri, treguan se edhe ato në rast nevoje dijnë të drejtojnë, të luftojnë dhe të mos mposhten nga vështirësitë. Mjafton që të vihet fotoja e Tring Smajles që të përgjithësohet e gjithë eksperienca e këtyre burrneshave .
Unë e di që në bujtina ka shumë foto dhe relike por unë u përqëndrova në ato që ndoshta nuk janë krejt në vemendje.Jo vetëm kaq por në dokumentarë të ndryshëm reklamohen vetëm pasuritë natyrore, natyrisht tepër të rëndësishme dhe kulinaria me ndonjë tregim spontan dhe lihet mënjanë trashëgimia kulturore. Mendoj që të gjitha këto sugjerime të thithen ma shumë nga të rinjtë që administrojnë bujtinat që të dinë të tregojnë historinë jo vetëm ato të pasurive natyrore apo kulinare por mendoj se shumë e rëndësishme asht historia dhe trashëgimia jonë kulturore, që pa hezitim mund te thuhet që asht e mahnitshme. Unë pres që të tjerë dashamirës të tregojnë dhe të sugjerojnë edhe të tjera gjëra që këto zona të behen të lakmueshme dhe interesante për tu parë dhe hulumtuar jo vetem nga të huajt por edhe vendasit që e njohin pak historinë. /Nga Zenepe DIBRA, publikuar në Facebook/