
Të nderuar miq e dashamirës!
Këto ditë po dëgjoj shume për Shkodrën dhe zhvillimin që do të ketë nga një investim që po vjen… Nuk dua të komentoj mbi të pasi nuk është koha: koha do të ishte nëse dikush na pyeste paraprakisht. Meqë kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka shumë gjasa të ndodhë, po ndaj me ju disa mendime. Për mua SHKODRA merr vendin që i takon kur të jetë QENDËR e madhe dhe e ZHVILLUAR.
Përsa i takon qendrës e dua aq të madhe e të rëndësishme sa ç’thonë dokumetet për kohën e Venedikut, pra nuk po kërkoj shumë, të sa 500 vjet më parë e madhe dhe e rëndësishme. Sa i takon ZHVILLIMIT, doja një plan të perspektivës, paret për të këtë plan nuk i kërkoj menjëherë: të zbatohet me faza por PLANIN e dua.
Unë po them si e dua unë: Lumi Kir të përshkojë qytetin në një kanal betoni me gjerbërim në të dy anët, lumi Drin të futet në kanal nga Ashta deri në derdhjen aktuale. Këto dy devijime nuk lejojnë më përmbytje të qytetit dhe hapin shumë vend për zhvillimin e zgjerimin e qytetit.
Rrugët hyrëse të Shkodrës të jenë 3: me tuned që del te çelësi i ndryshkur (hyrja qytetëse) dhe një te Fusha e Druve e tjera në Zues. Të ketë një rrugë bregut të Liqenit të Shkodrës deri në Han të Hotit dhe pjesa që mbetet (një pjesë e Livadeve) dhe pjesa që lirojnë dy lumenjtë e kanalizuar dhe Kodrat e Tepes, të zhvillohet qyteti.
Pjesa e treguar në skicë, Tabakja e Alibegaj, të rrethohen si në Holande dhe të jetë pjesa arkeologjike e qytetit: dalin dhjetëra shtresa qytetërimesh dhe muri rrethues i Kalasë prej 1.5 metër. Kodrat e Melgushës të ulen (sheshohen) dhe të ndertohet aeroport ndërkombëtar. Në të dy anët e kodrave të Bushatit të zhillohet industri e prodhimit të makinave dhe industri e pjesëve kompjuterike (të dyja me kooperim).
Zona Zues- Tarabosh të bëhet qendër ndërkombëtare sportive: stadiumi më i madh ne gadishullin Ilirik, fusha stërvitje, një pallat shumësportesh, disa kinema dhe teatër, pistë makina garash, pistë motor garash, pistë biçikletash, zona argëtimi dhe shëtitje të popullatës. Në pjesën mbi Spathar të ndërtohet impiant fotovoltaik në rajon. Natyrisht që kam edhe disa ide më të detajuara, por ju kërkoj ndjesë për mënyrën e paraqitur në skica, pasi janë mjaft amatore, por besoj se ndihmojnë të plotësohen idetë që paraqita.
Dhe së fundmi: një kërkesë e hershme – rruga Shkodër – Tiranë duhet me 3 korsi në secilen anë: një për shkodranët e rrethina, një për kosovarët e një për në Perëndim (e vetmja rrugë direkte që të çon në Perëndim)! Me shumë nderim për secilin që do ti lexojë këto shenime! RESPEKTE PËR TË GJITHË JU! /Nga Prof. Dr. Zef GJETA, publikuar në Facebook/




