Nga ‘vrasje nga pakujdesia’ e çon dosjen në Gjykatë për ‘vrasje me dashje’, si i shpëtoi Arjan Tase për 1 muaj drejtësisë

Prokuroria ndryshon akuzën për Arjan Tasen! Nga “vrasje nga pakujdesia” e çon dosjen në Gjykatë për “vrasje me dashje”! Kështu situata rëndohet për Arjan Tasen, pasi nëse me akuzën për “vrasje nga pakujdesia” që rrezikonte nga gjobë deri në 5 vite, tani më me akuzën e ngritur ditën e sotme ai rrezikon deri nga 10-20 vite.

Ndërkohë, Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me gomone 7-vjeçare Jonada Avdia teksa po lahej në plazhin e Potamit në Himarë, arriti të mundë sistemin e drejtësisë, prokurorinë dhe policinë në vetëm një muaj.


Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se në datën 03 mars 2020 në kontrollin e monitoromin ajror nga Guardia di Finanza në territorin që mbulonte si shef komisariati Arjan Tase janë konstatuar 6690 rrënjë kanabis në Vranisht të bashkisë Himarë.

Me vendim të Gjykatës Vlorë nr. 299 date 13.12.2020 është caktuar masë sigurimi personal për Tasen, “Pezullim te ushtrimit të një detyre ose shërbimi publik”.

Bazuar ne vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë nr. 60 date 06.01.2021, e cila ka ndryshuar statusin e këtij punonjësi nga pezullim te ushtrimit publik në detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore Vlorë.

Bazuar ne këtë vendim në datën 18 janar 2021 është ndërprerë pezullimi disiplinor i tij. Po kështu, çështja është pushuar vetëm për këtë punonjës nga prokurori, ndaj ishte rikthyer përsëri në punë.