Me përfundimin e zgjedhjeve dhe pasi u bë e qartë se Shqipëria nuk kishte patur zgjedhje as këtë herë, qytetarët iu rikthyen ballafaqimit me problemet e vjetra. Rinisi me ritme të përshpejtuara prishja e ndërtimeve informale, policia pushtoi rrugët për të gjobitur qytetarët, bizneseve iu kërkua të paguajnë taksat që gjatë fushatës u ishin falur. Me një fjalë, me rënien e maskës së propagandës elektorale, doli në pah fytyra e vërtetë e regjimit, ajo e vjetra.
Një ndër komponentët kryesorë të regjimit në 8 vite është shpërthimi i kontrolluar i skandaleve si ushqim për vetë bishën e korrupsionit politik, ekonomik e shoqëror që ka projektuar dhe ngritur Edi Rama. Si një ouroboros nga lashtësia e Egjiptit, regjimi ha bishtin e tij, jo nga dëshpërimi apo për të shpëtuar pjesën tjetër të organizmit, por për të shënuar natyrën e tij pa fillim dhe pa fund. Nuk mund të thuash se ku fillon regjimi i Edi Ramës sepse nuk mund të shquash as ekstremet e gjymtyrëve të tij.
A fillon ai tek Partia Socialiste, ish-Byroja Politike, mafia ndërkombëtare e trafikut të narkotikëve, mafia e ndërtimeve, organizatat kriminale, ish-Sigurimi i Shtetit, organizatat e shoqërisë civile? Apo ky regjim fillon tek oligarkia, tek mediat, tek rrjeti i influencerave që shpëlajnë trurin e opinionit publik? Po institucionet e sigurisë, sistemi i drejtësisë dhe pushteti lokal që shërbejnë tërësisht në përputhje me axhendën e pushteti, janë fillimi apo skaji i këtij regjimi?
Sido që të përpiqemi për t’i gjetur përgjigjen kësaj pyetje, shpjegimi më i plotë është se Edi Rama ka ngritur një totalitarizëm të sheqerosur me një fasadë pluraliste dhe me një humor tragjik. Në të gjithë këtë ngrehinë të planifikuar dhe dirigjuar me preçizion totalitarist, Edi Rama i ka rezervuar vetes profilin e udhëheqësit të pagabuar, të Zeusit që ndëshkon çdo tradhëti dhe të Perëndisë që mund të falë mëkatet. Vetëm në sistemet politike totale mund të ndodhë që çdo element i tij shfaqet i korruptuar me përjashtim të Vëllait të Madh. Megjithëse ai vetë e ka ngritur sistemin, ai është gjithmonë i papërlyer dhe mbetet shpresa e vetme për ta pastruar dhe ripërtërirë atë.
Përtej kësaj klime totalitare që shfaqet në fund të çdo analize të plotë të gjendjes në vend, një pjesë e vërejtjeve ndaj opozitës gabimisht e shohin opozitën në gjendjen e saj më kritike. Si të mos mjaftonte veçimi i opozitës nga gjendja e përgjithshme e vendit, këto lloj kritikash janë aq naive sa të besojnë se triumfi i opozitës është i mundur në kushtet e totalitarizmit dhe të krizës së përgjithshme shoqërore.
Për fat të keq, e vërteta është edhe më e trishtueshme se sa e thonë kritikët e opozitës brenda dhe jashtë saj. E vërteta e plotë është se Shqipëria është në pikën e saj më kritike dhe për ta nxjerrë vendin nga kjo zonë e pashpresë nuk mjafton dhe, madje, nuk është i mundur, përmirësimi i vërtetë i opozitës. Duket se nga kjo vetëdije, Lulzim Basha shpalli Platformën Qytetare për Demokracinë në Kuvendin e Partisë Demokratike. Mbetet të shohim se si do t’i jepet formë kësaj ideje dhe të gjykojmë nëse ajo do ta bashkojë gjithë shoqërinë shqiptare rreth opozitës për të zgjidhur një herë e mirë problemin kronik që kemi me regjimet.
Në këto kushte dhe pasi është ushtruar maksimalisht kritika e brendshme, rivaliteti i figurave dhe ideve, punë e mençur është që të bëhesh pjesëmarrës në proceset e fuqizimit të opozitës dhe çlirimit të Shqipërisë nga regjimi anti-demokratike dhe anti-europian i Ramës. Pjesëmarrja nuk është një sjellje pasive dhe e pafrytshme. Ideja se vetëm konflikti sjell ndryshim dhe zhvillim, është thellësisht marksiste. Ajo ka në thelb të saj premisën materialiste se vetëm forca është mekanizëm lëvizës. Por në shoqëritë njerëzore mekanizma të tjerë lëvizës kryejnë ku e ku më shumë punë se forca. Transformimet dhe restaurimet më të shquara të historisë njerëzore janë kryer në paqe, përmes urtësisë, veprimit moral, dashurisë dhe thirrjes paqësore për drejtësi.
Kushdo që ëndërron ta bëjë Partinë Demokratike siç mendon vetë, tregon se nuk është i gatshëm për të pranuar një Parti Demokratike të madhe, produkt të një marrëveshjeje qindra mijëra qytetarësh. Një njohje e përciptë e zhvillimit të shkencave humane në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë mjafton për ta pajisur këdo me një kuptim të drejtë të mënyrës se si formësohen dhe transformohen organizatat. Praktika sociale brenda tyre ka dëshmuar se të jetuarit brenda këtyre organizatave dhe aftësia për të bashkëjetuar me të ndryshmit krijon mundësi për komunikim dhe shndërrim të arsyeshëm. Transformimet epokale, përmbysjet e mëdha, rithemelimet e rishpikjet janë për fat të keq jo vetëm totalitare, utopike dhe të papranueshme, por edhe lindin prej një procesi krejtësisht egoist të përsiatjes filozofike apo frymëzimeve të paqarta.
Ajo që i duhet Partisë Demokratike nuk është një vizion holist/ total për të ardhmen e saj, por sipërmarrja për të bashkëpunuar dhe bashkëjetuar në një mjedis jo dhe aq komod, në një organizatë që ka nevojë të rritet. Sfidë për çdo person të mandatuar për të përfaqësuar opozitën është aftësia për t’u kthyer aty ku e ka marrë mandatin dhe për të rezistuar bashkë me qytetarët që i kanë zgjedhur ose jo, përballë rishfaqjes së shqisës ndëshkimore të regjimit ndaj shqiptarëve. Sa për njerëz në studio, për ata kujdeset teatri mediatik.
Përballë pushtetit total të Edi Ramës, çdo mendje e lirë dhe çdo zemër e virtytshme ka detyrimin moral që kontribuojë në bjerrjen e këtij regjimi. Kushdo që shpreson të krijojë një mekanizëm ideal politik për ta rrëzuar Ramën në një etapë të dytë, e ka lirinë t’ia nisë krijimit të tij menjëherë. Në emër të demokratëve mund të flasë vetëm ai që është votuar prej tyre. /Nga Vehap KOLA, antar i zgjedhur i KK të PD- së, publikuar në Facebook/