
Të nderuar kolegë, studiues, përfaqësues të institucioneve partnere, të ftuar.
Ju uroj mirëseardhjen në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në konferencën shkencore ndërkombëtare “Albanologjia dhe mërgata”, konceptuar si një hapësirë kërkimi, që vë në qendër një nga nyjet themelore të studimeve bashkëkohore shqiptare.
Mund të jetë koincidencë, por kjo Konferencë lidhet sot me Samitin IV të Diasporës në Tiranë. Ne kemi marrë pjesë, gjithashtu, në Diaspora Flet në Gjermani, Seminarin e Mësuesve në Shkodër, vitin e kaluar, etj.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, nën një vizion të qartë akademik dhe shoqëror, merr pjesë në sesionet e dedikuara të Samitit të Diasporës, në dy panele, përmes angazhimit me mbështetjen e çmuar të GIZ Albania, në kuadër të programit “Bashkë për Gjuhën dhe Identitetin Shqiptar”. Po ashtu, dhe projekti: “Forcimi i mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe identitetit në diasporë”.
Gjatë këtyre dy ditëve, vizitorët dhe pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të njihen nga afër me një nismë që synon ruajtjen dhe transmetimin e gjuhës shqipe dhe identitetit kulturor për brezat shqiptarë jashtë vendit. Gjuha, si themeli i përkatësisë dhe kujtesës kolektive, mbetet një përgjegjësi e përbashkët akademike, institucionale dhe komunitare.
Ky projekt po zbatohet me mbështetjen e Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, në emër të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), duke kontribuar në ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërmjet arsimit të lartë, shoqërisë civile dhe diasporës shqiptare.
Konferenca “Albanologjia dhe Mërgata” trajton albanologjinë në lidhje të drejtpërdrejtë me mërgatën si një fushë prodhimi dijesh, ku gjuha, kujtesa dhe identiteti veprojnë si kategori ndërmjetësuese midis hapësirave dhe kohëve të ndryshme. Në këtë kuadër, mërgata (poetikisht) paraqitet si një konfigurim kulturor dhe gjuhësor në zhvillim të vazhdueshëm, që gjeneron forma të reja të përvojës dhe kuptimit.
Punimet e paraqitura dëshmojnë një orientim drejt qasjeve analitike, që vendosin albanologjinë në marrëdhënie me proceset historike, migratore dhe ndërkulturore. Studimet mbi traditat arbëreshe, mbi format e shumëgjuhësisë dhe mbi dinamikat e diasporës bashkëkohore, artikulojnë një vijimësi të ndërmjetësuar, ku kujtesa funksionon si strukturë prodhuese dhe si mekanizëm i rindërtimit të identitetit.
Në këtë perspektivë, albanologjia shfaqet si një fushë kërkimi me shtrirje transnacionale, e integruar në rrjete bashkëpunimi dhe në qarkullim të ideve, duke zgjeruar horizontin e saj metodologjik dhe institucional.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” konsideron këtë angazhim pjesë të rolit të tij në zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e studimeve albanologjike.
Shpreh vlerësimin tim për punën e Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe për kontributin e të gjithë studiuesve që i japin formë kësaj konference, megjithatë, përtej kësaj, më lejoni të bëj dy konstatime:
a. Edhe pse tematika e tejkalon Shqipërinë, pasi ka shumë folës jo shtetas shqiptarë, mendoj se duhet zgjeruar më tej aspekti ndërkombëtar i konferencave të tilla, në kuptimim e daljes përtej botës shqiptare, pra dhe të studiuesve që vijnë nga vende të huaja, studiues të huaj, etj.;
b. Vijoj të insistoj për dizenjimin e një programi Bachelor të Studimeve Shqiptare (Albanalogji), për t’u aplikuar deri ne vjeshtë të këtij viti, për të qenë gati për vitin akademik 2027- 2028;
Ju ftojmë, sot e nesër, të shkëmbejmë ide dhe të eksplorojmë së bashku mundësi të reja bashkëpunimi në këtë drejtim.
Ju uroj punime të mbara dhe që Shkodra të jetë një pikë takimi e mendimit tuaj me kujtesën e saj, si një tekst i hapur në dialog me kërkimet tuaja. Suksese. /Fjala e përshëndetëse e rektorit Tonin Gjuraj “Albanologjia dhe Mërgata”, Konferencë shkencore ndërkombëtare/




