
Sot jemi mbledhur për të nderuar një personalitet të shquar të Albanologjisë, Profesor Francesco Altimarin, një studiues me kontribute të pashoqe në fushën e gjuhës, letërsisë dhe kulturës arbëreshe. Ky është një moment i veçantë për Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, i cili me krenari i akordon Prof. Dr. Altimarit titullin “Doctor Honoris Causa”, në shenjë vlerësimi për punën e tij të palodhur dhe ndikimin e tij të thellë në studimet shqiptare dhe ndërkombëtare.
Prof. Dr. Altimari i përket brezit të studiuesve që kanë luajtur një rol kyç në ruajtjen dhe promovimin e identitetit arbëresh, duke krijuar një urë të fortë mes kulturës shqiptare dhe asaj europiane. Nëpërmjet studimeve të tij, ai ka sjellë në vëmendje ndikimet e ndërsjella mes arbëreshëve dhe botës ballkanike e italiane, duke ndjekur rrugën e Jeronim De Radës dhe figurave të tjera të mëdha të arbërishtes.
Formimi i tij akademik nisi në Universitetin e Kalabrisë dhe gjatë karrierës së tij të pasur, ai ka dhënë mësim dhe ka bashkëpunuar me disa prej universiteteve më prestigjioze europiane, përfshirë Manheimin, Mynihun, Napolin, Milanon, Leccen, Triesten, duke ndarë përvojën e tij edhe me institucionet akademike shqiptare si, Universitetin e Tiranës, Gjirokastrës dhe, padyshim, Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.
Kontributi i tij ka gjetur gjithashtu vlerësimin më të lartë institucional shqiptar. Prof. Dr. Altimari është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Si pjesë e redaksive të disa prej revistave më të rëndësishme albanologjike, si Studia Albanica, si dhe si drejtor shkencor i Res Albanicae, ai ka dhënë një ndihmesë të vyer në studimin dhe përhapjen e dijes mbi arbërishten dhe albanologjinë në përgjithësi.
Veprimtaria e tij shkencore përfshin studime të thelluara mbi letërsinë dhe filologjinë arbëreshe, me një fokus të veçantë në botimin kritik të veprave të Jeronim De Radës dhe në hulumtimet mbi ndikimet ballkanike e italiane në gjuhën dhe letërsinë arbëreshe. Gjithashtu, ai ka sjellë kontribute të rëndësishme në studimet mbi dialektet italo-shqiptare dhe didaktikën e gjuhës shqipe.
Nëpërmjet një pune të palodhur dhe një përkushtimi të jashtëzakonshëm, Prof. Dr. Altimari ka pasuruar albanologjinë dhe është shndërruar në një zë të spikatur në studimin dhe ruajtjen e identitetit arbëresh. Ai nuk është vetëm një studiues i shquar, por edhe një urë lidhëse mes traditës dhe modernitetit, mes Shqipërisë dhe Italisë, mes kujtesës historike dhe vizionit për të ardhmen.
Sot, ndërsa i akordojmë titullin “Doctor Honoris Causa”, ne nuk nderojmë vetëm një karrierë të shkëlqyer akademike, por edhe një mision jetësor për mbrojtjen dhe promovimin e një trashëgimie të vyer kulturore.
Le të jetë ky çmim një shenjë e mirënjohjes sonë për të dhe një frymëzim për brezat e ardhshëm që do të ndjekin gjurmët e tij në kërkimin shkencor dhe ruajtjen e identitetit arbëresh.
Urime, Profesor Altimari! /Fjala përshëndetëse e Prof. Dr. Tonin Gjuraj, rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës/