Skip to content
14 June, 2026
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

Since 2017, the most followed news portal and entertainment in the North of Albania

njoftime banner 2025
Primary Menu
  • KUSH JEMI NE
  • AKTUALITET
  • KRONIKË
  • POLITIKA
  • SPORT
  • MAG&VIP
  • DOSSIER
  • ANËMBANË
  • VIDEO NEWS
  • RRETHE
    • Malësia e Madhe
    • Lezha
    • Vau- Dejës
    • Puka
    • Vendi
  • NA SHKRUANI
ShkodraWeb TV

NGA THOMA GËLLÇI – Zgjedhjet që rrëzuan shtetin…

ShkodraWeb 26 May, 2026
thoma gellci zgjedhje 2026

Shumë njerëz e lidhin katastrofën shqiptare të vitit 1997 vetëm me rënien e firmave piramidale. Por kriza e piramidave nuk ishte shkaku i vetëm dhe as më i rëndësishmi i shembjes së shtetit. Ajo ishte thjesht shkëndija që ra mbi një ndërtesë politike tashmë të dëmtuar në themele.

Nëse kërkojmë momentin kur filloi rrëshqitja drejt humnerës, duhet të kthehemi te zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996.

Si pjesëmarrës aktiv në ato të quajtura zgjedhje, e them me bindjen e plotë se ato përbëjnë një nga episodet më të errëta të historisë politike shqiptare pas rënies së komunizmit. Nën klimën e frikës, presionit, dhunës dhe manipulimit të hapur, Partia Demokratike shpalli një fitore pothuajse absolute, duke marrë 131 mandate nga 140 të mundshme. Historitë që lidhen me ato ditë para 26 majit, por edhe pas 26 majit, me dhunën që shoqëroi protestën paqësore të opozitës në datën 28 maj, janë në kufijtë e të pabesueshmes. P.sh., në zonën time elektorale, në mes të Tiranës, në Bllok, kishte qendra votimi që ne nuk i dinim që ekzistonin. Në to mbusheshin kutitë me fletë votimi, sepse realisht nuk kishte votues. Ose një histori që ma ka treguar një përfaqësues i PD-së vite më vonë për disa fshatra në Lushnjë: “Kisha dasmë të dielën e votimeve”, tha, “nuk kisha nge të merresha me votat atë ditë. Kështu që i mbusha kutitë me fletë votimi që të premten, bëra dhe procesverbalet dhe i detyrova edhe anëtarët e PS-së t’i firmosnin, dhe i dorëzova kutitë e mia që të premte. Njerëzit shkuan të dielën të votonin kot. Hidhnin vota në kuti që nuk do të shkonin askund.”

Vëzhguesit ndërkombëtarë denoncuan parregullsitë. Opozita kundërshtoi procesin, e braktisi dhe nuk i njohu rezultatet e tij. Besimi i qytetarëve se diçka mund të ndryshonte me votë në Shqipëri mori një goditje të rëndë. Në vend që zgjedhjet të shërbenin si mekanizëm për të zgjidhur konfliktet politike, si një valvul shkarkimi për krizën e piramidave që po vinte, ato u kthyen vetë në burim të një konflikti edhe më të madh.

Më 26 maj filloi kriza e vërtetë.

Shteti nuk mbahet në këmbë vetëm nga policia, ushtria apo ligjet e shkruara në letër. Ai mbahet mbi një marrëveshje të pashkruar mes qytetarëve dhe institucioneve: besimin se pushteti fitohet me votë dhe humbet me votë. Kur ky besim shembet, shteti vazhdon të ekzistojë vetëm në pamje të jashtme.

Pas zgjedhjeve të vitit 1996, një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare nuk besonte më se institucionet përfaqësonin vullnetin e qytetarëve. Parlamenti humbi legjitimitetin e tij moral. Administrata u perceptua gjithnjë e më shumë si instrument politik. Drejtësia e plepave nuk gëzonte asnjë lloj besimi. Në një klimë të tillë, çdo krizë ekonomike ose sociale ishte e destinuar të merrte përmasa shumë më të rënda. Policia dhe SHIK-u ishin thjesht instrumente politike kundër kundërshtarëve të regjimit.

Kur firmat piramidale u shembën në fillim të vitit 1997, qytetarët, përveç parave, kishin humbur më parë besimin te shteti. Dhe kur njerëzit nuk besojnë më se institucionet janë të vërteta dhe legjitime, nuk kanë arsye t’u binden atyre.

Kjo shpjegon pse revolta e vitit 1997 mori përmasa të tilla. Nuk u rrëzuan vetëm firmat piramidale. U rrëzuan komisariatet, depot ushtarake, administrata dhe autoriteti i shtetit. Brenda pak javësh Shqipëria u gjend pranë shpërbërjes së plotë institucionale. Armët dolën në rrugë, rendi publik u zhduk në shumë zona dhe shteti humbi kontrollin mbi pjesë të mëdha të territorit.

Historia e shumë vendeve e tregon qartë: kur institucionet ndërtohen mbi zgjedhje të lira dhe të ndershme, ato mund të përballojnë edhe kriza shumë më të mëdha. Shtetet perëndimore kanë kaluar depresione ekonomike, skandale politike, trazira sociale dhe madje luftëra. Por institucionet kanë mbetur në këmbë, sepse qytetarët vazhdojnë të besojnë se pushteti buron nga vota dhe se rregullat vlejnë për të gjithë.

Kjo është arsyeja pse zgjedhjet nuk janë thjesht një procedurë teknike që zhvillohet një herë në katër vjet. Ato janë themeli mbi të cilin ndërtohet i gjithë sistemi shtetëror. Nëse themeli është i deformuar, herët ose vonë çahen muret, bien kolonat dhe shembet e gjithë godina.

Shqipëria e vitit 1997 është ndoshta shembulli më dramatik i këtij mësimi. Kriza e piramidave ndezi zjarrin, por lënda djegëse ishte grumbulluar më parë, sidomos më 26 maj. Ajo ishte krijuar nga mungesa e besimit, nga dobësimi i institucioneve dhe nga bindja se pushteti nuk po buronte më nga vullneti i qytetarëve.

Prandaj, kur kujtojmë ngjarjet tragjike të vitit 1997, nuk duhet të flasim vetëm për piramidat. Duhet të kujtojmë edhe 26 majin 1996. Sepse shtetet rrallë shemben brenda një dite. Ato fillojnë të bien në momentin kur qytetarëve u merret besimi se vota e tyre ka vlerë.

Ngjarjet e viteve 1996–1997 duhet të kishin shërbyer si një mësim i madh për klasën politike shqiptare: se legjitimiteti i pushtetit është më i rëndësishëm se vetë pushteti. Një fitore e arritur përmes manipulimit, presionit apo deformimit të vullnetit të zgjedhësve mund të sjellë përfitime afatshkurtra politike, por në afatgjatë dëmton besimin e qytetarëve dhe dobëson vetë themelet e shtetit. Fatkeqësisht, duket se ky mësim ende nuk është përvetësuar plotësisht.

Edhe sot, tre dekada pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, Shqipëria vazhdon të vuajë nga i njëjti problem themelor: mungesa e konsensusit për integritetin e procesit zgjedhor. Pothuajse çdo palë zgjedhje shoqërohet me akuza për blerje vote, presion mbi administratën, përdorim të burimeve shtetërore, manipulim të listave, ndikim të interesave ekonomike apo forma të tjera të deformimit të garës. Standardet janë përmirësuar krahasuar me vitet e para të tranzicionit, por zgjedhjet shqiptare vazhdojnë të jenë objekt debatesh dhe kontestimesh të vazhdueshme.

Mungesa e besimit tek institucionet është dëmi më i madh që i është sjellë Shqipërisë. Jemi të qartë sot të gjithë se me ndryshimet e Kodit Zgjedhor të vitit 2008, me marrëveshjen Rama-Berisha, tashmë popullit i është hequr e drejta që të ketë përfaqësuesit e tij në Kuvend. Zgjedhje bëhen një herë në katër vjet, por votohet për lista të mbyllura të militantëve partiakë, që dalin në minutën e fundit nga xhepi i kryetarëve të partive. Askush në Shqipëri sot nuk ka dyshim për gjendjen e mjeruar të Parlamentit shqiptar në përbërjen e tij. Nuk ka shumë ndryshim nga ajo historia e atij fshatit në Lushnjë që i mbushi kutitë e votimit që të premten, se të dielën kishte dasmë.

Por nuk është vetëm kjo. Ende personat që shkaktuan masakrën zgjedhore të vitit 1996 dhe shkatërrimin e shtetit në vitin 1997 janë pjesëmarrës kryesorë në lojën politike të vendit, pa nxjerrë asnjë mësim dhe asnjë pendesë nga e shkuara.

Prandaj, mësimi më i rëndësishëm i vitit 1996 mbetet ende aktual: shteti nuk mbahet në këmbë nga forca e qeverisë, por nga besimi i qytetarëve te rregullat e lojës. Dhe derisa Shqipëria të arrijë ditën kur zgjedhjet të pranohen si të lira dhe të ndershme nga fituesit dhe humbësit njësoj, tranzicioni demokratik do të mbetet, në një farë mënyre, ende i papërfunduar.

Ky është mësimi që Shqipëria pagoi me një çmim të tmerrshëm në vitin 1997. Një mësim që nuk flet vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen. Demokracia vdes kur qytetarët humbasin besimin te vota. Dhe kur humbet besimi te vota, fillon të lëkundet vetë shteti. Sot jemi në një situatë kur njerëzit po mendojnë se nga vota nuk ndryshon asgjë në Shqipëri. A ka më keq se kaq? /Nga Thoma GËLLÇI/

Post navigation

Previous: HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e martë, 26 maj 2026…
Next: MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e martë, 26 maj 2026…

TË FUNDIT

moti sot

MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e diel, 14 qershor 2026…

ShkodraWeb 14 June, 2026
horoskopi 2025

HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e diel, 14 qershor 2026…

ShkodraWeb 14 June, 2026
edi rama ylli limani 2026

“Nuk e njoh Ylli Limanin”, kryeministri Rama në krah të këngëtarit pas sulmeve për koncertin në shesh

ShkodraWeb 13 June, 2026

TË FUNDIT

  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e diel, 14 qershor 2026… 14 June, 2026
  • HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e diel, 14 qershor 2026… 14 June, 2026
  • “Nuk e njoh Ylli Limanin”, kryeministri Rama në krah të këngëtarit pas sulmeve për koncertin në shesh 13 June, 2026
  • Klasa politike shqiptare në Malin e Zi, pengon mësimin e historisë tonë kombëtare në shkollat atje… 13 June, 2026
  • SHTYPI I DITËS – Çfarë shkruajnë gazetat shqiptare për ditën e sotme, e shtunë, 13 qershor 2026… 13 June, 2026
  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e shtunë, 13 qershor 2026… 13 June, 2026
  • HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e shtunë, 13 qershor 2026… 13 June, 2026
  • VIDEO – Festa e Shna Ndout në Kishën e Laçit në Kurbin, policia masa për mbarëvajtjen e pelegrinazhit 12 June, 2026
  • VIDEO – Pas Velipojës, të rinjtë e bashkisë Shkodër organizojnë aksion pastrimi edhe në zonën e Thethit… 12 June, 2026
  • OPINION – Universiteti “Luigj Gurakuqi” në vdekje klinike, vetëm një forcë madhore mund ta shpëtojë 12 June, 2026
  • “Unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar”, heqja e “non grata”, Berisha falenderon administratën Trump 12 June, 2026
  • HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e premte, 12 qershor 2026… 12 June, 2026
ame sidebar

TË FUNDIT

moti sot

MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e diel, 14 qershor 2026…

ShkodraWeb 14 June, 2026
horoskopi 2025

HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e diel, 14 qershor 2026…

ShkodraWeb 14 June, 2026
edi rama ylli limani 2026

“Nuk e njoh Ylli Limanin”, kryeministri Rama në krah të këngëtarit pas sulmeve për koncertin në shesh

ShkodraWeb 13 June, 2026
dom nika libra historie mali zi 2026

Klasa politike shqiptare në Malin e Zi, pengon mësimin e historisë tonë kombëtare në shkollat atje…

ShkodraWeb 13 June, 2026
  • KUSH JEMI
  • KODI ETIK
  • PËRDORIMI
  • PRIVATËSIA
  • KONTAKTE
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
Portali më i klikuar në Veri | Nga 2017, Media e Lirë Online, me parimin “E Verteta nuk negociohet, sepse e Verteta të bën të lirë”. Informim, formim & argëtim, çdo gjë për audiencën. Ky është misioni ynë | Copyright ShkodraWeb © 2017- 2026 | Të drejtat të rezervuara | ShkodraWeb nga BDgraphDesign.