NGA TED KOPLIKU – Koha për reflektim, PD e mbushur me të vjetër të papjekur e të rinj të vjetruar në mentalitet

Partia Demokratike nuk e ka luksin e Partisë Socialiste (ish- PPSH) ti vendosë njerëzit në rresht. Grupimi i demokratëve ekziston para se të ekzistonte partia. Kane lindur si antitrup i virusit sllavo- komunist, si dëshirë për të mundur një sëmundje, tashmë, thuajse shekullore të shoqërisë shqiptare. Në çdo zgjedhje, për këtë arsye, PD e nis në disavantazh.

Të parët që votojnë dihet kush janë. Nuk kanë nevojë as për parti, as për sigël, as për program, as për uniformë. Mjafton të lexosh At Zef Pllumin kur përshkruan hyrjen e partizanëve komunistë në Shkoder, të veshur me zhele e opinga, të bashkuar rreth idealit komunist e të udhëhequr nga antishqiptarizmi.

PD duhet të shmange ngritjen e strukturave simotra, pa ide, pa bosht e pa identitet. E mbushur me të vjetër të papjekur e të rinj të vjetruar në mentalitet, partia po zvogëlohet në një grupim njerëzish pa vizion e pa ideale, duke e bërë partinë e shpresës një grupim aspak tërheqës. Kujtoj në zgjedhjet e 2005- ës, në forumet e partisë mblidheshin gjithë grupet shoqërore në xhiro.

Nga më të rinjte tek më të vjetrit. Këto forume kishin diversitet e konkurrencë (në krahasim me forumet e sotme). Sot forumet janë kthyer në një grupim të vetëm shoqëror, por pa “shoke e shoqe”.

Nëse drejtuesit e PD- së nuk e kuptojnë që ky lloj degradimi përkthehet në mungesë pushteti në të ardhmen, atëherë ata nuk janë të denjë për të drejtuar një parti politike. Sidomos Partinë Demokratike që ka qenë më shumë se çdo konfigurim politiko- social në sherbim të kombit.

Zgjidhja nuk është aq e komplikuar, mjafton vullnet. Fillohet duke i thirrur mendjes e më pas duke i thirrur “mendjeve” që ka Shqipëria. Strukturat duhet të kenë në përbërjen e tyre profesorë, gazetarë, studentë, historianë, politologë, sociologë, punëtorë, specialistë, shkrimtarë dhe lista nuk mbaron këtu, për të kthyer në krye të detyrës partinë e shpresës.

Në këtë mënyrë strukturat kthehen në arkitektë të rikthimit në pushtet dhe propozimit të një qeverisjeje alternative, në vend që të parazitojnë nga kandidimi në kandidim, duke dizenjuar në çdo zgjedhje kandidatë për kandidim dhe asgjë tjetër. Koha për reflektim e për ndryshim sigurisht! /Nga Ted KOPLIKU, publikuar në Facebook/