
Shkodra âsht nji qytet n’veri t’Shqipnisë, aty ku toka shqiptare prek trojet e veta n’Mal t’Zi, t’mbetuna jetime me nânën gjallë. Troje qi dikur kânë marrë frymë shqip, e sot rrinë si kujtim i kputun prej trupit t’vet. Aty ku kufijtë s’janë veç gjeografi, por plagë t’vjetra, kujtesë, hupje e krenari.
Po e them këtë për këdo qi, nji ditë, ka me e lexue këtë shkrim në ndonji gjuhë tjetër. Sot fjalët përkthehen kollaj, qytetet jo, e megjithatë, për me kuptue Shkodrën, s’mjafton përkthimi; duhet me e ditë ku âsht dhe me e ndie ku i dhemb.
Shkodra âsht nji qytet i çuditshëm, i bukur n’mënyrë t’rrezikshme, i dykuptimtë, i vjetër, i mshehtë. Nji qytet qi din me ndezë zjermin e revolucionit, por nuk din gjithmonë me e mbajtë gjallë dritën e evolucionit. Çohet, thërret, përplas portat e historisë, e mandej ndalet, si me u trembë prej hapit t’vet. Sikur, sapo e sheh rrugën përpara, i kthehet prapë legjendës; asaj legjende qi e ngushëllon dhe e mbyt njiherit.
E kânë quejtë djepi i qytetnimit shqiptar, ndoshta ka kênë, ndoshta hala âsht, në kujtesën e gurëve, në hijen e kalasë, në frymën e liqenit, në zânin e rrugicave qi dikur kânë ditë me folë mâ fort se parlamentet. Prej Shkodre kânë dalë mendje t’ndrituna, poetë, dijetarë, artista, burra e gra qi ia dhanë Shqipnisë nji copë ftyrë, nji copë shpirt, nji copë nder.
Por sot ky djep nuk përkund mâ jetë, por âsht i ftohtë, i ngrimë, ku brenda tij nuk qan nji fëmijë, por hesht nji kufomë. Na vazhdojmë me e përkundë, me i këndue ninulla krenarie, me i përsëritë emna t’mdhej, lavdi t’vjetra, mite t’bukura, ndërsa përposh djepit historia ka nisë me u kalbë.
Shkodra shndrit, po, shndrit. Po ajo dritë s’të nxeh; âsht dritë e vdekun, si ajo qi i mbetë në fytyrë nji trupi kur shpirti i ka ikë kaherë. S’âsht dritë jete, âsht bukuri mortore, bukuri qi i rren sytë e atyne qi s’duen me pa. Prandej Shkodra duket si nji ikonë e vjetër, e nxime prej tymit të qirinjve t’rremë.
Shkodrën nuk e ka vra veç koha, regjimet, vorfnia, harresa a politika, Shkodrën e kena vra edhe na. Na qi e banojmë, qi e duem me fjalë, por e braktisim me vepra. Na qi betohena për emnin e saj, e mandej ia shesim shpirtin grimë mbas grime, ditë mbas dite. Na qi e kena përdorë si flamur, si dekor, si kujtim, por rrallëherë si përgjegjësi.
Shkodra âsht djegë shumë herë. Na kena kênë Neronat e saj të pandamë, edhe pse jo gjithmonë me flakë t’dukshme. Ndonjiherë qytetet digjen n’heshtje, kur njerzit dorëzohen, kur frika bâhet zakon, kur dinjiteti bâhet folklor, kur ndërgjegjja bâhet pronë partie, kur qytetari bâhet spektator i rrënimit t’vet.
Në Shqipninë e ktyne ditve plasin protestat. Tirana mbushet me zâna, hapa, zemërim, njerz qi, për nji çast, nuk pranojnë mâ me kênë hije. Rrugët marrin frymë ndryshe. Trupat bâhen fjalë, fjalët bâhen britma, britma bâhet dëshmi.
Po Shkodra?
Ajo flen, por jo gjumin e zhegut. Ka râ n’gjumë t’rândë, jo prej lodhjes, por prej dorëzimit. Kthehet prej njanit krah n’tjetrin, sikur historia ta ketë trazue pak n’ândërr. Hap nji sy, dëgjon zhurmën e vendit qi zien dhe pëshpërit: “Kam hala gjumë, shnosh nesër, ditë e re, nafakë e re”. Mandej pin kafen e vet t’hidhun dhe kthehet prapë n’shtrat, mbulon trup e krye me batanijen e miteve, mbështjell ndërgjegjen me lavdi t’vjetra, e flen, zbulohet, rrotullohet, por nuk çohet.
Flen nji qytet i tânë, qi dikur zgjoi tjerët sikur t’ishte tellall.
Kjo âsht tragjedia mâ e madhe: jo se Shkodra nuk ka histori, por se jeton veç prej saj. Jo se i mungojnë figura t’mdhaja, por se i përdor t’vdekunit për me mbulue t’gjallët. Dikur Shkodra loce ka pasë dritë; tash e ka kthye dritën në muze, në fotografi, në krenari boshe.
Në këto protesta, Shkodra nuk heshti; thjesht u zbulue. I ra maska e qytetit legjendë dhe doli nji ftyrë e zbehtë, e lodhun, e përçame. Nji qytet fantazmë, me njerz qi ecin si të gjall të pazgjuem. Nji qytet ku mjafton nji kërcitje gishtash, nji fjalë, nji urdhën pa zâ, dhe njerzit ndahen: do kah e majta, do kah e djathta; kush me këtë e kush me atë; kundër këtij e kundër atij. Si me kênë shpirti qytetar nji copë lëkure e vdekun, e nderun mbi eshtnat e qytetit, qi çahet posa e prek hija e parë e frikës.
Militantët e çdo ngjyre hynë aty ku duhej me hy ndërgjegjja. Flamujt e partive u përzien me zemërimin e njerzve dhe ia morën frymën. Protesta, qi duhej me kênë zâ, u kthye në dyshim, dyshimi u kthye në heshtje, heshtja u kthye në gjumë.
Kjo, pra, âsht Shkodra: qyteti qi din me lindë kryengritje, por nuk din gjithmonë me lindë ndryshim. Qyteti revolucionar qi mbeti peng i revolucionit si kujtim, por nuk e msoi evolucionin si detyrë.
E ndoshta Shkodra turpnohet prej nesh. Prej nesh qi e përmendim me mburrje dhe e lâmë vetëm. Prej nesh qi flasim për Rozafën, por nuk dijmë me ndërtue asnji mur ku të mos muroset prapë nji grue, nji qytetar, nji e vërtetë. Prej nesh qi thërrasim Teutën, por sjellena si tradhtarët e saj. Prej nesh qi trashëgojmë emna t’mdhej dhe prodhojmë heshtje të rânda.
Ndoshta na nuk e meritojmë Shkodrën. Ndoshta Shkodra nuk e meriton këtë vorrim t’ngadaltë qi ia bâjmë ditë për ditë, me indiferencë, me fanatizëm, me servilizëm, me nostalgji boshe.
E megjithatë, ajo rri aty, me liqenin si pasqyrë t’trazueme, me kalanë si kafkë t’lashtë mbi qytet, me rrugët qi mbajnë mend hapat qi na i kena harrue, me shtëpitë qi ende ruejnë hijen e njerzve mâ t’mirë se na.
Shkodra rri aty, e bukur n’at mënyrë t’ftohtë qi kânë veç gjânat e plagosuna; shndrit me dritën e nji nami t’vjetër, përkund kufomën e vet në djep dhe troket në gjumin tonë prej nji nate qi s’ka mbarue kurrë.
E përballë kësaj pamjeje, At Gjergj Fishta do t’i kishte mshehë sytë prej turpit, ndërsa Migjeni do ta kishte njoftë menjëherë plagën tonë mâ të vjetër: fodullëkun shkodran, këtë mjerim t’veshun me krenari.
Na jena Demetri i Farit qi kthehet prej errsinës, me ftyrën e tradhtisë dhe duert e lyeme me hirin e qytetit. Kjo âsht nâma jonë: me e shitë Shkodrën t’gjallë, e me e vajtue vetëm kur bâhet vorr. /Nga Sonila GRUDA, dërguar për publikim në ShkodraWeb/




