Më kujtohet se si e festuam natën e Shën Kollit në internim në Gjaz (Lushnje). Atë ditë dhjetori u nisa për në punë me lopatë në krah për pastrim kanali. Kanali ishte i thellë. Fillova punën, balta e kanalit ngjitej mbas lopatës, të cilën duhej ta pastroje herë pas here, pastrimi i lopatës të jepte mundësinë me marrë pak frymë.
Dola nga kanali me pi pak ujë kur shoh, drejt meje po vinte brigadieri Feçorri (kështu e kishte emrin), siç kishte emrin kishte dhe shpirtin. Ai ishte shoqëruar me një tjetër, kur u afruan, dallova se tjetri ishte operativi Selfo, thonin se ishte nga Tepelena.
Unë vazhdoja me gërmu kanalin ata u ndaluan e bënin sikur bisedonin. Feçorri ishte shumë i kënaqur që shoqeronte operativin e sigurisht i jepte dhe të dhëna për ne. Operativi Selfo kënaqej sigurisht që me shihte mua duke punuar në kanal e i mbuluar nga djersët e cirkat e baltës në fytyrë por mua nuk më bënte përshtypje e vazhdoja punën duke i mallkuar “ju vraftë nata e Shën Kollit more katila”.
Në darkë mblidheshim rreth tavolinës ku në mes të saj shndriste drita e qiriut. Bënim kryq e thonim uratë. I luteshim Shejtit Shën Koll me na rujtë nga çdo e keqe e me na heq qafe këtë far të keqe. Mbas uratëve fillonte darka, ku mundoheshim me ba diçka si për festë e me u dallue nga darkat e tjera.
Ne i festonim të gjitha festat, sigurisht në masa të rrepta sigurie. /Publikuar në Facebook nga Simon MIRAKAJ/