
Unë jam çdo ditë në rrugë… Shoh me vëmendje të gjithë njerëzit që kalojnë me shpresën se dikush do kujtohet për mua?! Ato “të mëdhenjtë” ecin në “botën” e tyre a thua se unë jam i padukshëm?! Nuk mërzitem, mendoj kush e di si e kanë ditën sot… por e di sa shumë mërzitem kur unë kam zënë një qoshe, sepse ato janë shtëpia ime dhe ndonje kalimtar më gjuan… në të shumtën e rasteve me shkelma por nuk mungojnë dhe guret, shkopinjtë…
Mbaj mend, kur isha akoma i vogël, një makinë po vinte drejt meje, ashtu i shtrirë përtokë, mendova se ishte aksident por sapo makina po largohej, dëgjova tek thoshte: Vdis qen rrugaç! I harrova dhimbjet dhe u luta të vdes… Mirëpo disa vajza që më duket kishin fytyren e ëngjëllit, më shpëtuan! Tani jam më mirë por jam prap në rrugë… Ah sikur të rrija përgjithmonë te ajo klinika ku po kurohesha, edhe pse dhimbjet me zinin frymën, kënaqësia që dikush po kujdesej për mua, që për dikë isha i dukshëm, mi zhdukte si me dorë lëngimet e mia të gjata…
Prap kam zënë qoshen time që më mbron nga shiu i rrëmbyeshëm dhe nga dielli përvëlues, me sy të mekur ndjek lëvizjet e të gjithëve, duke pritur mëshirë, pak ushqim (sa për të mos qenë i uritur) kush e di si do jenë ato vaktet e bollshme?! Pres pak dashuri….
Kur Zoti na krijoi, e bëri njeriun më të fuqishëm, më të përgjegjshëm, ndoshta dhe me human, e ndersa ne të dobët, gjithmonë në pritje për një copëz nga ai bekim që Zoti i dha njerëzve, dashurinë.
Sa frikë kam kur i dëgjoj se do me vrasin?! Kam përjetuar tmerre të tilla me shokët e mi të rrugës, i kam parë të pajetë në rrugë sa e sa prej tyre… Atë qenin me një këmbë të thyer që ishte shoku im më i mirë, e helmuan! Nuk e kuptova asnjëherë pse?! Ishte kaq i butë, nuk i shkonte kurrë prapa njerëzve, veç zinte një qoshe në lulishte e priste…dukej se ishte mësuar me fatin e tij në rrugë.
Unë jam më lojcak, edhe pse e kam pësuar disa herë duke vrapuar pas “njerëzve”… prap kam besim se një ditë, ndoshta një ditë, dikush do të më fali dashuri…
Kur më zë gjumi ashtu në rrugë, shoh gjithmonë në ëndërr një shtëpi me fëmijë që më përkëdhelin, që luajnë me mua dhe madje më quajnë Reksi, sa do më pëlqente të kisha një emer e jo “qen rrugaç” siç më thonë!
Unë e di që “të rriturit” kanë halle, kam që i vogël që e njoh këtë fjalë…kur i them i vogël dua të lë të kuptoj i vogël me trup se unë nuk pata fëmijëri. Më ndanë nga mami fare i vogël, që nga ajo ditë nuk e pashë më kurrë, ndoshta e kanë adoptuar, kështu dua të mendoj.
Të gjitha këto mendime më vijnë tek “qoshja” ime… E kur më lodhet mendja e zemra, më zë gjumi me lutjen që askush të mos më bëjë keq, edhe pse jeta për mua është cfilitëse, unë dua të jetoj, të jap dashuri pa pritur asgjë në këmbim!🐾 /Nga Sidola OSJA, publikuar në Facebook/