
E njëjta përrallë, i njëjti mashtrim, e njëjta metodë pilotimi dhe kontrolli, e njëjta vendosmëri për të zhbalancuar dhe shkatërruar një strukturë natyrore qytetase dhe krahinore, përthithet si tepër e besueshme nga mendjet e thjeshta brohoritëse.
Një bashkësi e tërë, që e sheh me sy të lirë dëmin e tre dekadave, të përsëritet edhe për një brez të tretë të ri, të piketuar edhe ky për t’u djegur për lojna pushteti dhe sigurie individuale, e megjithatë, sërish i duhet ta duartrokasë, për zakon përuljeje, për bindje, për një sindromë të frikës dhe gëzimit njëkohësisht, për paaftësi për të vetvendosur, për pamundësi për të zbritur nga “Karroca” e “dhurueme” nga ai që nuk fal asgja për zemërngushtësi zakoni.
Ia kanë nxjerrë njerëzit jashtë djallëzisht, me kamzhik, në mënyrë periodike, ia kanë zbrazë qytetin që herët dhe sistematikisht nën krismat e krizave artificiale dhe të stisura, ia kanë marrë peng përfaqësinë, tanima edhe haptas, me diktat udhëheqës të importuar dhe sërish në atë vend, vrapohet për t’u shfaqur dhe pikasur, në garën për gjoksrrahje, mburojë trupore, besnikëri të stisur.
piqendra e Kulturës së Naltë, nga ku shumë herët lindi atdheu, ku u ideua alfabeti, gjuha, shteti, nacioni, e drejta, kultura, shkolla, letersia, tregtia, ekonomia dhe progresi drejt Europës, sot nuk ka nevojë ma për përfaqësi, nuk e quan më të nevojshme për me pasë za të vetin në Shqipëri, është e pasigurtë prej inxhinjerëve, ekonomistëve, juristeve, shkrimtarëve, urbanistëve dhe profesoratit të vet: është një shërbim që tash e mbrapa do ia kryejnë me sipërmarrje, me ngarkim.
Jemi në vitin 2025 dhe vazhdojne ta fyejnë, ta dhunojnë dhe ta detyrojnë të heshtë deri në fikje, nën fshikullimet e gatshme të gavroshëve vigjilentë. /Nga Romeo GURAKUQI, publikuar në Facebook/