
U bë kohë që çdo ditë shohim të njejtin skenar, sulme dhe komente për të mbushur faqet e portaleve apo ekranet e TV-ve ndaj Bashkisë Shkoder, nga deputete apo eksponente të vetëshpallur të opozitës. Një herë te koshi i mbeturinave, një herë me selfie matanë mureve, herë duke kërkuar pas pallateve por asnjëherë ballë për ballë në rrugë, aty ku njerëzit punojnë, djersijnë dhe përpiqen realisht për këtë qytet.
Kjo nuk është opozitë, është zhurmë. Nuk është kritikë, është show. Një lojë e pistë portalesh që kërkon vetëm klikime, jo zgjidhje.
Përtej gjithë kësaj, ekziston diçka shumë më e madhe: e drejta qytetare, e drejta e dinjitetit dhe e së vërtetës, dhe mbi të gjitha puna e përditshme për Shkodrën. Puna që nuk bërtet, por ndërton. Që nuk bën selfie, por hap rrugë. Që nuk kërkon fajtorë, por merr përgjegjësi.
Të paktë janë zërat që mbushin këto portale, por në thellësi e dinë shumë mirë të vërtetën. E dinë se Shkodra po ecën përpara. E dinë se ajo që sot quhet “Shkodra Pozitive” nuk është slogan, por realitet.
Dhe pikërisht për këtë arsye lind xhelozia, lind mllefi, lind nevoja për të hedhur baltë sepse është më e lehtë të sulmosh, sesa të pranosh që dikush po punon më mirë se ti. Siç thoshte një mik i vjetër: “Milefi i tepërt është e zeza e Zotit.”. /Nga Ramir HADËRI, publikuar në Facebook/




