
Teuta po vjen! Jo si hijeshë muzeale, as si dekor bronzi për turizëm sezonal por si ora fatlume e Ilirisë, si kujtesë që nuk u shlye as nga koha, as nga Roma, as nga harresa jonë moderne.
Në rrugën Shëngjin- Velipojë, aty ku deti përputhet me malin, ajo po ngrihet në fron, në një ballkon guror, mbi Rânën e Hêdhun, si roje e përjetshme e horizontit ilir.
Shtat i hedhun, i derdhun krejt në bronz, me vështrim që s’ kërkon leje por kërkon përgjigje. Kurorë e artë, parzmore, shtizë flakëruese jo për luftë por për kujtesë.
Teuta nuk po kthehet për pushtet; po kthehet sepse e ka marrë malli me u pa me gjirin e Labeatëve dhe deltën e Barbanës, me u bindë se Iliria nuk ka vdekur krejt. 2253 vjet rrugë. Një udhë e gjatë pavdekësie, ku fryma e mbretëreshës endet mes yjeve e tokës, tue kërkue kryeqytetin e vet. Dhe kur zbret prej përjetësisë, kërkon Shkodrën. Kryeqytetin. Zemrën e Ardianëve.
Por Shkodra hesht. E kalon. E shtyn tutje. Dhe këtu lind pyetja që s’ka bronz që e mbulon:
PSE JO NË SHKODËR?
Pse jo në tokën që ishte kështjella e fundit e kryeqëndresës së Dinastisë Ardiane? Pse jo aty ku mbretëresha sundoi me flotë, me mendje politike, me kurajo që Roma e kishte frikë?
Teuta nuk u përfill. Ashtu si nuk u përfill Genti, mbreti i fundit i Ilirisë. Ashtu si u la në hije Lekë Dukagjini, ligjvënësi që mbajti kombin gjallë pa shtet. Ashtu si u pranua me ngurrim e kontestime Nënë Tereza.
Kjo nuk është rastësi. Është vazhdë. Është një kulturë që ka frikë nga figurat e mëdha, sepse madhështia u kujton vogëlsinë tonë administrative, shpirtërore, historike.
Prandaj Teuta u ndal në rrugë dhe Lissus e pret me krahëhapun. Jo sepse Lezha ia rrëmben historinë Shkodrës por sepse Lezha e kupton simbolin: më mirë një mbretëreshë të gjithë pranuar. Ballkoni panoramik bëhet fron. Rruga e re bëhet udhë e lashtë. Deti dhe mali bashkohen si dikur, kur Iliria ishte një trup.
E Shkodra? Le të ngushëllohet me Hasan Riza Pashën e Bagdadit! /Nga Prelë MILANI, publikuar në Facebook/




