NGA PRELË MILANI – Bashkia e Dukagjinit duhet të rilindë…

Dukagjini si njësi administrative me status të barabartë si krahinat e tjera të Prefekturës së Shkodrës. u plagos në vitin 1946 kur i’u vra deputeti nacionalist dhe me integritet të pashoq Profesor Kolë Prela. U vra politikisht dhe administrativisht me 1948- ën kur humbi statusin e Nënprefekturës (Rrethit që kishte nga viti 1922 deri 1948, për plot 26 vite).

Dihet se si kaloi në rangun e një Lokaliteti të dorës së fundit, u copëzua me mëdysh, Shllaku e Pekali ju mbathën Postribës, ndërsa Nikaj- Mërturi dhe Rragami kaluan nën hyqmin një fshati pa emër që u bë rreth më vete. Është një kapitull më vete të flitet për pasojat dramatike politike, sociale ekonomike, infrastrukturore, kulturore që pati kjo vrasje pa krisma me efekt të ngadaltë për këtë krahinë. Varrosja përfundimtare ndodhi në vitin 2014 mos gabofsha, kur ato tre- katër komuna të shkjepta kaluan me statusin pa as një peshë të njësive administrative.


E pata ngritë zërin me shkrime disa herë deri në kupë të qiellit por askush nuk më dëgjoi veçse edhe morën thjesht për protagonizëm të lafitur mediatik. Nuk ndihem as i lumtur, as triumfues që parashikimi rezultoi i saktë, se ajo reformë më të ashtuquajtura bashki gjigante, nuk solli asgjë pozitive në raport me kaclat e tejskajshme të mëparshme. Vitin që vjen kemi përsëri zgjedhje vendore dhe siç duket, do kemi përsëri një riformatim të pjesshëm të hartës administrative. Jashtë cicmiceve elektorale politike të rëndomta shqiptareske, Dukagjini duhet të mëvetësohet si subjekt i veçantë administrativ.

Së pari, për arsye të traditës historike të formësuar me një identitet të spikatur shekullor.

Së dyti, në kuadër të zhvillimit perspektiv rajonal, Dukagjini është zemra e Apleve Shqiptare, ka territorin, natyrën më të begatë bjeshkatare shqiptare me ujëra te bollshme, ajër kurativ, bimësi, kullota, lugina të ngrohta, ara të punuara me zell deri dje.

Se treti, ka burimet e veta njerëzore, intelektuale dhe administrative të paaktivizuara dhe të përçmuara banalisht nga politika e deri sotme që nuk i ka dashur as nuk i dëshiron përsëri.

Vetëzhvillimi i turizmit në Theth pothuaj pa asnjë mbështetje bashkiake as qeveritare (veç rrugës se asfaltuar vjet jashtë parametrave normal), ngre alarmin që duhet të zgjohemi nga gjumi Dukagjini, nga Shkallë Logja deri në Qafe Kolshit është i gjithi një rezervat gjigand turistik. Tata i vjetër nuk mund të lihet më në gjendje kome. Është tradhëti kombëtare, nëse kjo krahinë, nuk bëhet nyje lidhëse atraktive turistike mes Adriatikut, Ultësirës Shkodrane, Gjakovës, Prizrenit, Prishtinës dhe Evropës Qendrore e Lindore.

Ka tashmë një projekt të rrugës kombëtare Prekal- Gjakovë 87 km, i cili vjen 107 vjet pas projektit të parë austriak, 83 vjet pas projektit të dytë italian dhe 62 vjet pas projektit të tretë rus. Këta pushtues sikur edhe një dekadë të rrinin, për interesat e tyre strategjike do kishin bërë realitet. Ne kemi 100 vjet që pjerdhim në mënyrë demagogjike patriotike dhe nuk bëjmë asgjë konkrete për një perspektivë ekonomike mbarëkombëtare. Tue pa startin prej kërmilli të zhvillimit tonë një shekullor, pothuaj askush nuk beson tek një mrekulli e tillë që do çlironte një herë e përgjithmonë Alpet nga izolimi, prapambetja dhe varfëria.

E pra kjo është lufta më e madhe, më e dobishme në gjithë historinë e përndritur të kësaj treve. Po nuk e fituam, do shkojmë si humbës të turpëruar në botën tjetër. Bukuritë zvicerane i kemi mes nesh, kjo rrugë i zbulon, rindërton një urbanistikë të re të pandashme. Hapi i parë është të rilindi Bashkia e re e Dukagjinit, sipas hartografisë së dioqezës historike të Pultit ose ndarjes administrative të viteve 1922-1948. Nëse duket e pa mundur dhe me naivitet e padëshiruar që Nikaj- Merturi të rikthehen që tani së paku Shala, Shoshi, Pulti, Shllaku, Temali, Toplana, Dushmani dhe Prekali duhet te jenë pa mëdyshje një bashkësi administrative me stemën e vet të vjetër dhe më qendër Prekalin, ashtu si kur lindi per herë të parë Nënprefektura e Dukagjinit ne vitin 1922.

Nënprefektura e Dukagjinit përfshin Shalën me 2380 banorë, Shoshin me 1582 , Shllakun 2151, Temalin 939 Pultin 1958 banorë. Kryekuvendi i kësaj Nënprefekture është Prekali. (Lorenzo Viezzoli SJ, “Shqipëria njoftime Gjeografike, Shtetstike-Administrative viti 1923”,Enti Botues Gjergj Fishta viti 2014, fq .33).

Pak më vonë kësaj Nënprefekture iu shtuan edhe Nkaj- Mërturi dhe qendra u trasferua në Kodër Shëngjergji. ndërsa përfundimi sa më parë i rrugës kombëtare Prekal- Gjakovë, do sillte përfundimisht revolucionin e shumë dëshiruar infrastrukturor, administrativ, ekonomik dhe kulturor. Mos vdekshim pa e parë. Por asgjë nuk vjen veç me lutje! /Nga Prelë MILANI, publikuar në Facebook/