
Kushtrim ndërgjegjeje kombëtare Rrjoll – Mos të përsërisim heshtjen e historisë. Po e nis me emrin tim. Sepse fjala pa emër është frikë. Dhe frika është ajo që na ka mbajtur shekuj me radhë të përkulur.
Sa herë kemi heshtur, kemi humbur.
Heshtëm përballë pushtuesit osman.
Heshtëm kur erdhi fashizmi italian.
Heshtëm nën okupimin gjerman.
Heshtëm në komunizëm – ku vëllai shiste vëllanë vetëm për të mbijetuar.
“Mos më prek mua, mjafton të shpëtoj unë” – kjo na ka shkatërruar më shumë se çdo armik. Dhe sot? Sot nuk kemi pushtues me uniformë të huaj. Por kemi një sistem ku pushteti mbahet mbi interesat e oligarkëve, klientelës dhe lidhjeve të errëta. Dhe ne?
Ne shpesh rrimë e presim një “copë bukë”, një favor, një vend pune, një ndërhyrje. Sepse jemi mësuar të mos bashkohemi. Jemi mësuar të nënshtrohemi. Na kanë blerë me frikë, me premtime, me përçarje.
Rrjolli – pasqyra jonë
Sot Rrjolli nuk është thjesht një konflikt pronash. Është një pasqyrë e mentalitetit tonë kolektiv. Banorë që kërkojnë të jenë të barabartë para ligjit. Që kërkojnë të mos u merret prona pa transparencë. Që kërkojnë të mos trajtohen si pengesë në tokën e vet. Kur qytetari ndjen se nuk është i barabartë para ligjit, atëherë kemi problem si shoqëri.
Pse nuk bashkohemi? Sepse politika na ka mësuar të ndahemi: Veriu kundër Jugut. I majtë kundër të djathtit. Fshati kundër qytetit. Një familje kundër tjetrës. Ndërsa ata bashkohen për interesin e tyre. Ne nuk bashkohemi për pronën.
Nuk bashkohemi për drejtësinë. Nuk bashkohemi për të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe pastaj habitemi pse ligji nuk është i njëjtë për të gjithë. Nuk është thirrje për përplasje Kjo nuk është thirrje për dhunë.
Nuk është thirrje për urrejtje. Është thirrje për ndërgjegje. Nëse sot nuk reagojmë kur cenohet e drejta e një komuniteti, nesër mund të jetë radha jonë. Nëse sot heshtim nga frika, nesër frika bëhet normë.
Çfarë duhet? Barazi reale para ligjit. Transparencë në çdo vendim që prek pronën. Hetim të paanshëm për çdo akt dhune. Institucione që nuk anojnë nga interesi më i fortë.
Sepse shteti nuk është pronë e askujt. Shteti duhet të jetë garanci për të dobëtin, jo mburojë për të fortin. Ne kemi mbijetuar pushtime. Kemi mbijetuar diktatura. Por nuk mund të mbijetojmë pafundësisht duke heshtur.
Koha nuk kërkon heroizma të verbra. Kërkon qytetarë të vetëdijshëm. Kërkon bashkim për parime, jo për parti. Nëse duam që fëmijët tanë të rriten si qytetarë të barabartë para ligjit dhe pronës, duhet ta kërkojmë sot – me zë, me argument, me dinjitet.
Sepse një popull që hesht nga frika, e humb të drejtën para se t’ia marrin. /Nga Paulin MACAJ, qytetar shqiptar, i shqetësuar për drejtësinë dhe barazinë para ligjit, dërguar për publikim në ShkodraWeb/
VIDEO E DITËS | Punonjësi i policisë private “Breçani Security” godet me grusht protestuesin në Baks- Rrjoll të Velipojës




