
Sot po pyes veten: A ka shtet? A ka drejtësi? Apo na njohin për njerëz vetëm kur u duhen votat tona? Nuk mund të rri pa bërë një krahasim që të lëndon shpirtin. Pamë se si Parlamenti dhe Kryeministri u hodhën në mbrojtje të një ish-zyrtareje të lartë, duke bërtitur se “është prind, është nanë me një fëmijë”, edhe pse akuzohet për hajni marramendëse dhe fëmija i saj është 20 vjeç. Aty “nana” shërbeu si maskë për t’i ikur drejtësisë.
Po kjo nanë këtu në foto? Kjo nanë e re në Rrjoll? Ajo nuk ka vjedhur askënd. Ajo po mbron tokën e saj që po i vilet para syve nga hajnat me kostum. Ajo nuk është në zyrë e as në poltronë, por është ulur në pluhur, para policisë e oligarkëve, duke lënë vetëm fëmijën e saj 2 VJEÇ në shtëpi.
Pse për këtë nanë nuk ka transparencë? Pse mbi këtë nanë nuk ka mbrojtje, por ka presion dhe fadroma? Kjo foto që shihni nuk është thjesht një imazh dëshpërimi. Është një thirrje pa zë për të gjithë ne. Është dëshmia se si në këtë vend, po mbytni shpresën e atyre që duan të jetojnë me djersë në tokën e babës e të gjyshit.
Zoti ju dhantë hakun atyre që e çuan këtë popull në këtë pikë! Kur padrejtësia shtyp kaq fort dhe kur njeriu nuk ka më çfarë të humbasë, rezistenca është e vetmja rrugë.
Unë nuk mund të hesht. Jo sot, jo para kësaj pamjeje që tregon fytyrën e vërtetë të këtij sistemi. Ju ftoj të gjithëve të mos i mbyllni sytë. Sot është Luçiana në Rrjoll, nesër mund të jetë dera e secilit prej nesh. Hapni sytë sa nuk është vonë! /Nga Paulin MACAJ, dërguar për publikim në ShkodraWeb/




