
Prej 22 ditësh, banorët e Rrjollit protestojnë me dinjitet. Kanë protestuar në tokën e tyre. Kanë trokitur në institucione. Kanë shkuar në konsullata, në dyer drejtësie, në bashki. Kanë bërë marshim me lutje, duke kërkuar drejtësi nga Zoti dhe nga shteti. Dhe drejtësia foli.
Vendimi i Apelit njohu të drejtën e pronës së familjes Malaj. Por sot lind pyetja që shqetëson çdo qytetar: Si ka mundësi që ka një vendim gjykate dhe punimet vazhdojnë?
Banorët nuk janë zaptues. Ata kanë dokumente, kanë histori, kanë kujtesë brezash. Kanë jetuar aty kur zona ishte e harruar. Sot, kur toka mori vlerë, u kujtuan projektet.
Kjo nuk është çështje politike. Nuk është çështje partie. Është çështje shteti dhe respekti për ligjin. Nëse një vendim gjykate nuk zbatohet, çfarë mesazhi jepet? Nëse qytetari duhet të luftojë për të zbatuar një vendim të drejtësisë, atëherë ku është garancia për nesër?
Gratë e Rrjollit treguan guxim. Treguan se prona nuk është vetëm tokë- është identitet, është amanet. Por kjo betejë duhet të mbetet ligjore dhe morale. Sepse forca e malësorit ka qenë gjithmonë nderi, jo dhuna. Shteti duhet të jetë garant i ligjit, jo palë në konflikt.
Investimi nuk mund të quhet zhvillim nëse prodhon përplasje dhe mosbesim. Sot Rrjolli kërkon vetëm një gjë: Zbatimin e ligjit dhe respektimin e pronës. Sepse kur shtypet i ndershmi, lëkundet themeli i shtetit. /Nga Paulin MACAJ, dërguar për publikim në ShkodraWeb/
VIDEO E DITËS




