NGA PAUL TEDESCHINI – Shkolla e parë laike në gjuhën shqipe, një tjetër vlerë e qytetit të Shkodrës…

Shkolla në gjuhën shqipe janë hapë nga kleri katolik shqiptar qysh nga shekulli i 13- të e në vazhdim. Për këtë ka prova dhe janë ba shkrime me prova historike të pamohushme për të cilat nuk po flas këtu.

Shkolla e parë laike në gjuhën shqipe asht shkolla e hapun në Shkodër me kërkesë të disa shkodranëve drejtu Jezuitëve, të cilët e hapën me 17 tetor 1877 (10 vjet para mësonjtores së Korçës me 7 mars 1887) tue fillu si klasa fillore dhe tue përfundu në gjimnaz. Paralelisht me këtë shkollë laike jezuitët patën edhe shkollën tjetër të pamvarun, Seminarin, për përgatitjen e priftënve.


Në këtë gjimnaz veç katolikëve kanë studju edhe djelm musliman dhe djelm ortodoks. Aty janë zhvillue të gjitha landët humane dhe shkencore si kudo në Europë. Pos këtyne ka pasë edhe nji bibliotekë të pasun, nji ndër ma të pasunat në Ballkan.

Në këtë gjimnaz ka qenë edhe stacioni i parë meteorologjik, të cilin e kena pa deri vone në shkollën që ma vonë u quejt “Shkolla 11 janar”. Aty në këtë libër jepen edhe aktivitetet kulturore ku ndër të tjera u hap Teatri i Parë Shqiptar ku u lujtën pjesë nga veprat klasikë botnorë si dhe shqiptarë ku ndër të tjera edhe mbi Heroin tonë kombëtar Skenderbeun

Ky gjimnaz asht njoftë nga shtete europiane të cilat pranojshin në universitetet e tyne nxansit me dëshminë e pjekunisë të këtij gjimnazi.

Në vitin 1928, me rastin e 50- vjetshit të parë të këtij gjimnazi, asht publiku nji libër historik (shqip natyrisht) mbi gjithë historinë si filloi e u zhvillue ky gjimnaz, ku paraqiten shumë fotografi laboratorësh të landëve të ndryshme si dhe të aktiviteteve.

Në këtë libër (të cilin un e kam të skanarizuem në kompjuter) jepen edhe listat emnore të nxanësve ku figurojnë 180 musliman dhe 75 ortodoks. Numri i nxansëve gjatë 50 vjeçarit të parë rezulton 1345 nxanësa. Nga kjo listë rezultojnë edhe shumë figura shqiptare si Faik Konica etj. /Nga Paul TEDESCHINI/