
Para disa kohësh po shkruaja tekstin e një kënge kushtuar Nikaj-Mërturit. Ndër vargjet e asaj kënge ishin edhe këto:
“Zoti vetë e paska thanë,
Tana t’mirat me t’i lanë.
T’ka punu porsi si pikturë,
At’her tha: Nikaj-Mërtur.”
Këto vargje nuk i shkruajta rastësisht. I shkruajta pasi, disa muaj më parë, pata fatin ta vizitoja për herë të parë Nikaj-Mërturin. U mahnita nga bukuria e rrallë e asaj krahine. Male qe preknin qiellin , majat e të cilave mbanin plisin e bardhë të borës. Lumenj të kristaltë që gjarpëronin mes pyjeve të gjelbra, një natyrë e paprekur që dukej sikur ishte pikturuar nga vetë Zoti.
Por sot kjo bukuri përrallore po rrezikohet.
Para pak ditësh, në lumin e Mërturit u shfaqën eskavatorë që iu vërsulën natyrës si ujqërit mbi një dele të pafajshme. Komuniteti reagoi menjëherë, ndërsa administratori i Njësisë Administrative Lekbibaj, z.Besard Ndoja , kërkoi ndalimin e menjëhershëm të punimeve.
Ajo që ngre shqetësimin më të madh është fakti se askush nuk e kupton se si mund të nisë një projekt i tillë pa dijeninë e banorëve, pa asnjë dëgjesë publike dhe pa asnjë tabelë informuese që të shpjegojë se çfarë po ndërtohet dhe përse.
Banorët e Nikaj-Mërturit tashmë kanë filluar organizimin dhe kanë caktuar datën 5 korrik për t’u mbledhur te Ura e Mërturit, në mbrojtje të lumit dhe të pasurisë së tyre natyrore.
Unë, duke pasur shumë miq, shokë dhe dashamirë nga ajo krahinë, u bëj thirrje të gjithëve që të bashkohen dhe të bashkëpunojnë me administratorin e zonës, z.Besard Ndoja , i cili është shprehur se do të jetë gjithmonë në krah të banorëve dhe në mbrojtje të interesave të Nikaj-Mërturit.
Duhet ta kuptojmë se çdo projekt, qoftë i mirë apo i keq, vendoset nga institucionet qendrore dhe jo nga administratori i njësisë, i cili nuk ka në dorë vendimmarrjen për projekte të tilla. Prandaj, reagimi duhet të jetë qytetar, i bashkuar dhe i mençur.
Jam i bindur se nikajmërturasit dinë t’i zgjidhin problemet e tyre me urtësi. Burrat dhe gratë e kësaj krahine janë një vlerë e çmuar e kombit tonë. Mes tyre ka gjeologë, inxhinierë, arkitektë, biologë dhe profesionistë të shumë fushave, të cilët janë të aftë ta analizojnë këtë projekt me përgjegjësi dhe të vendosin se çfarë është më e mira për vendin e tyre.
Lumi i Mërturit nuk është thjesht një rrjedhë uji. Ai është zemra e asaj krahine. Është pjesë e identitetit të saj, e historisë, e turizmit dhe e ekonomisë së banorëve. Çdo ndërhyrje në të duhet të bëhet vetëm me transparencë, me konsultim dhe me pëlqimin e komunitetit që jeton aty.
Si shoshjan, si bir i atyre maleve kreshnike, duke ditur se gjithmonë kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi një, nuk mund të rri indiferent. Do të jem në mbështetjen tuaj me të gjitha forcat e mia. Sot ky shqetësim ka trokitur në derën tuaj, nesër mund të vijë në derën tonë. Prandaj kemi nevojë për njëri-tjetrin.
Historia na ka mësuar se bashkë kemi ndarë dasmën dhe gjamën, luftën dhe festën. Bashkë duhet të mbrojmë edhe trashëgiminë që Zoti dhe të parët na kanë lënë.
Uroj që zëri i banorëve të dëgjohet dhe që çdo vendim për Nikaj-Mërturin të merret me përgjegjësi, transparencë dhe në interes të së ardhmes së kësaj krahine të bekuar.
Mirë u takofshim më datë 5 korrik te Ura e Mërturit, në ato bjeshkë të bekuara nga Perëndia. Zoti e bekoftë Nikaj-Mërturin! Zoti i bekoftë nikajmërturasit! /Nga Nikolin GURI, dërguar për publikim në ShkodraWeb/




