
Ka tash sa ditë që flitet shumë për projektligjin (tashmë ligj) “Për Barazinë Gjinore”, shpesh me emocione dhe interpretime të pasakta që e kanë paraqitur si një nismë që “rrezikon familjen” apo “ndryshon vlerat tradicionale”. Kjo më bani shumë kureshtare se çka paska kaq kërcënuese në këtë document dhe e hapa ta lexoj. Konstatoj se, ky ligj është një përpjekje për të sjellë në një dokument të vetëm të gjitha standardet ndërkombëtare dhe direktivat e Bashkimit Evropian që garantojnë barazinë mes grave dhe burrave, duke harmonizuar ligjet ekzistuese dhe duke vendosur bazën për politika më të drejta dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri.
Keqkuptimet kryesore kanë lindur nga interpretimi jashtë kontekstit i disa termave dhe parashikimeve që janë pjesë e këtij ligji. Për shembull, përkufizimi i “gjinisë” si një koncept gjithëpërfshirës është parë gabimisht si një përpjekje për të mohuar dallimin biologjik mes burrave dhe grave. Në fakt, ligji nuk ndryshon asgjë në këtë drejtim, ai thjesht garanton që askush të mos diskriminohet për shkak të identitetit apo shprehjes së tij gjinore, një standard tashmë i njohur në shumicën e vendeve evropiane dhe i kërkuar nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Një tjetër pikë që ka krijuar reagime është përdorimi i termit “gjuhë me ndjeshmëri gjinore”. Kjo nuk ka të bëjë me ndryshimin e gjuhës shqipe apo me detyrime në jetën private të njerëzve, por me përdorimin e formave të barabarta gjinore në dokumente zyrtare, tekste, diploma apo shpallje pune, pra që gjuha e administratës të reflektojë respekt të njëjtë për gratë dhe burrat.
Edhe përfshirja e termave si “orientim seksual”, “identitet gjinor” apo “karakteristika të seksit” është keqinterpretuar si nxitje e një ideologjie të caktuar. Në realitet, këto terma ekzistojnë në ligjin shqiptar që nga viti 2010, në Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, dhe shërbejnë vetëm për të ndaluar trajtimin e padrejtë ndaj kujtdo, jo për të “promovuar” ndonjë mënyrë jetese apo për të ndikuar në arsim apo familje.
Edhe kuotat gjinore, që parashikojnë një përfaqësim prej 30 deri në 50 për qind për secilën gjini në vendimmarrje, janë shpallur gabimisht si “favorizim” i një gjinie ndaj tjetrës. Në fakt, këto janë masa të përkohshme affirmative, një instrument ligjor që ndihmon të korrigjohet një pabarazi e vjetër në pozitat publike dhe politike, i cili pushon së zbatuari sapo arrihet barazia faktike.
Në mënyrë të ngjashme, koncepti i “buxhetimit të përgjigjshëm gjinor” është keqkuptuar si një fond për “ideologjinë gjinore”. Në të vërtetë, ai është një mekanizëm ekonomik që përdoret në të gjitha vendet e BE-së për të kuptuar se si fondet publike ndikojnë ndryshe te burrat dhe gratë, për shembull në fushat e arsimit, shëndetësisë apo transportit.
Së fundi, interpretimi se ky ligj “cënon familjen” nuk ka asnjë mbështetje në tekstin e tij. Asnjë nen nuk prek Kodin e Familjes, përkufizimin e martesës, të prindërimit apo të të drejtave familjare. Përkundrazi, ligji përfshin masa mbrojtëse për prindërit e rinj, për nënat shtatzëna dhe për familjet që kujdesen për persona me aftësi të kufizuara.
Ky projektligj nuk synon të ndryshojë vlerat morale të shoqërisë, por të garantojë që çdo qytetare dhe qytetar, pavarësisht gjinisë apo përkatësisë së tij, të ketë mundësi të barabarta për të jetuar me dinjitet, për të punuar, për t’u përfaqësuar dhe për t’u mbrojtur nga çdo formë diskriminimi. Në vend që të shihet si kërcënim, duhet parë si një hap i rëndësishëm drejt një shoqërie më të drejtë, që njeh dhe respekton dinjitetin e secilit individ. /Nga Nersada MANDIJA, publikuar në Facebook/




