Duke lexuar te bamet e të pabamet në shtypin periodik e portalet e Shqipërisë për një zv.ministre të Qeverisë Rama që shet autoritetin e përlyer të kësaj qeverisje për një arkë me peshk, mu kujtue monologu brilant i aktorit të famshëm shkodran Paulin Preka, kushtuar krapit të Liqenit të Shkodrës.
Krapit të Paulin Prekës që i kishte dal nami e zani deri në Stamboll e Paulini e pagëzoi “Harapi i Zi”, kishte marrë rrugët e Shqipërisë por destinacioni i tij i preferuar ishte Tirana, kryeqyteti ynë.
Çante shkodrani me “Harapin e zi” në autobuz deri në Laç, pastaj me trenin deri në Tiranë. Kundërmonte era peshk në autobuz por asnjë nuk ankohej, bile sa shoferët Cufi, Fetoja, Ndue “komunisti ” pasi ia dinin hallin pasagjerit se krapi do të trokiste më shumë në portat e doktorëve, të shefave në dikastere, por asnjëherë pedagogeve në fakultete, deri tek shefat e dikastereve, por asnjëherë me marrë guximin e me trokit në portat e zv.ministrave e më lart.
Më ka qëllue edhe mue me udhëtue në shoqërinë e “Harapit të Zi” për të ndihmue djalin e baxhanakut në një konkurs për Institutin e Arteve. Trokiste me ndrojtje shkodrani në portat e kryqytetit, por “Harapi i Zi”i jepte kurajo se i dinte se sa të permendej emri i tij, pritësit do ti buzëqeshte fytyra e do të përmallohej duke folur “ah krapi i Shkodrës” dhe me kënaqësi te ftonte edhe për një kafe.
Një herë një shkodrani i kishte ndodhur një e papritur me një nënë labe që kishte djalin profesor në Faklutetin e Mjekësisë.
-Urdhëro, i kishte folur ajo, ç’e mirë të ka sjellë.
-Nënë, kam një dhuratë për profesorin, merre, është “Harapi i Zi” i Paulinit.
Ajo e shkreta ishte trembur për monentin, pasi i biri e kishte porositur se do të vijë një shkodran Maliqi me një krap.
-Jo mor bir ke ngatërrue adresë. Unë pres një krap nga Shkodra e jo nga Paulini por nga Maliqi.
Shkodrani e korigjoi shpejt humorin e tij dhe nxorri nga shtrajca krapin e plaka tha:
-Siç keni krapin e embël, po kaq të embël e keni humorin dhe në vend që të falenderonte Maliqin, falenderoi Paulinin.
Por “Harapi i Zi” i Liqenit të Shkodrës nuk futej në manualin e korrupsionit siç mund të futej një ferlik i një qengji nga Labëria. Krapi nuk preferohej më shume se tre kile se deri aty kishte shijen e vertetë dhe nuk pretendonin më shumë se një “Harap të Zi”.
Po kjo zv.minstrja Voda, nuk e njoh e nuk e di nga është , por si babëzitur ka kërkue një arkë me peshk, thojnë me vlerë deri 300 mijë lek. Eh, po ta dinte këtë “Krapi i Shkodrës” do të kishte hyrë në greve urie pasi asokohe nuk kishte vlerën më shumë se 10- 15 lekë të vjetra.
Po kjo zv.ministria e punëve të brendëshme që dinte të gjtha punët e korrupsionit brenda Shqipërisë, nuk kishte dëgjuar për “Harapin e Zi” të Paulin Prekës? Vetëm një krap i kishte mjaftue, pasi ky “Harapi i Zi” e kishte eklipsue njalën pasi ajo ishte e rrezikshme.
Tifozi i njohur i Vllaznisë që bënte be për krye të saj, Shaqir Elbasani, e kishte provue se çka të bënte njala, kur për një tave njalash e kishte falur ndeshjen e finales Komunalja me Barbullushin, duke shitur skuadrën e tij të Komunales për një tavë me njala. Rrezikun e njalave e kanë provue edhe të parët tonë në vitet e demokracisë.
Por moj zv.ministre pse nuk të shkoi mendja tek krapi, se ajo kafshatë nuk do ta kishte zënë fytin si arka me peshk deti. Uji i Liqenit të Shkodrës është i embël, prandaj dhe krapi nuk ka hyrë në fjalorin e korrupsionit. Tashti është vonë dhe ska çka të bëjë “Harapi i Zi” i aktorit të nderuar Paulin Prekës pasi është larg në Itali. /Nga Namik MEHMETI për ShkodraWeb, Firenze Itali/