
Sot rastesisht takova në Shkodër lahutarin 73 vjeçar, Jonuz Delaj. Kishte ardhur nga Kopliku për të regjistruar një kengë në studion e zërit dhe më pas do të vijonte me filmimet! Kishim më shumë se një vit pa u takuar, ndaj dhe biseda qetë – qetë “kapërceu gurë me gurë” deri ne vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur si fëmijë më ka mbetur akoma në kujtesë kënga për Norën e Kelmendit, që e këndonte me lahutë Jonuz Delaj!
E dëgjonim shpesh tek valët e Radio Shkodrës dhe Radio Tiranës (emisioni për shqiptarët jashtë atdheut). Pati bërë shumë jehonë në atë kohë ai djalë i ri me lahutë, me një zë ushtimë sa të krijonte përshtypjen se je duke udhëtuar nëpër bjeshkët e Kelmendit në shoqërinë Zanave të Malit dhe Kreshnikëve të Legjendave (Muji e Halili)!
Është nga Nikçi i Kelmendit, ndaj gjithnje e quanin “Lahutari i Bjeshkëve”, Jonuz Delajn! Që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, lahutari legjendë, Jonuz Delaj, këndoi në skenat e festivaleve kombëtare, nga Shkodra e deri në Gjirokastër! Pas vitit 1990 Jonuz Delaj rrugëton me lahutën e tij nëpër dhjetra koncerte të emigrantëve shqiptar nëpër botë!
Çlirohet Kosova në vitin 1999 dhe Jonuz Delaj kthehet në Kosovë, i zhuritur nga malli për vëllezërit e përtej bjeshkëve të Kelmendit, të cilet i kishte takuar vetëm njëherë në vitin 1980 kur me asamblin e Radio Shkodres mundën të japin disa koncerte në Kosovë! Dhe ndërsa kalimthi udhëtonim në këto kujtime, u befasova kur mora vesh se Jonuzi asnjë titull nuk ka nga institucionet e larta te shtetit shqiptar të 30 viteve te fundit!!!!
Si ka mundësi kjo harresë?! Mbante mend se dekoratën e fundit e nga institucionet e larta të shtetit e ka marrë në vitet ’80- të ” Urdhërin Naim Frashëri”. Nga ajo kohë e deri sot, në “kupolë” nuk u kujtua njëri për të vlerësuar kontributin e papërsëritshëm në thesarin e folklorit shqiptar, të Lahutarit të Bjeshkëve, Jonuz Delaj!
E dija se kishte rreth 2 vite që Këshilli i Qarkut të Shkodrës ia kishte propozuar qeverisë për ti dhënë pension të veçantë! Të gjithë këshilltarët në mënyrë unanime kishin qënë dakord me këtë propozim! E pyeta Jonuzin se çfarë është berë? Po presim, ndoshta u vjen radha “letrave” të mia dhe i shqyrtojnë, mu pergjigj Jonuzi dhe shtoi se vazhdonte të besonte edhe për pak kohë, për lajmin e mirë nga qeveria!
Ata që më kanë njohur mirë në ato vite si Çesk Zadeja, Sali Mani, Tish Daija e tjerë e tjerë që do të flisnin për mua, nuk jetojnë më! Ai, më shumë se për pensionin e posaçëm, e ndjente brengën për lahutën dhe lahutarët që janë pakësuar në mënyrë dramatike, sa në Shkodër e Malësi të Madhe nuk kanë mbetur më shumë se 5- 6 prej kësaj “race” artistike!
Kështu po plagosim rëndë një pjesë të rendësishme të identitetit tonë, shprehej i brengosur lahutari 73 vjeçar, Jonuz Delaj dhe u ndamë me premtimin se së shpejti do të takoheshim në praninë e kameras, për një regjistrim të detajuar të karrieres së tij artistike! Së paku, tha, le ti mbesin arkivës! Po, ti mbesin arkivës së filmuar që të paktën të deshmohet se në Shqiperi dikur ka pasur edhe lahutë, edhe lahutarë! /Nga Musa KURTULAJ, publikuar në Facebook/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!