Grupi artistik “Treva” i krahinës së Dukagjinit mbushi 21 vjeç, me koncertin tradicional që dha mbremjen e së martes 17 dhjetor, në skenën e teatrit ” Migjeni” Shkodër! 21 koncerte masive për 21 vite me radhë, ku janë i interpretuar afro 700 këngë e valle të tradites së kësaj krahine por edhe të zonave të tjera nga Malësia e Madhe, Puka, Lezha, Mirdita, Mati, Kukësi, Dibra, Kosova, Plavë – Guci – Rozhajë – Tuz e deri në Ulqin !
“Treva” u krijua për të trashëguar e kultivuar këngën e vallen e krahinës së Dukagjinit, që rrezikoheshin nga shpopullimi masiv gjatë viteve të tranzicionit si në të gjitha zonat e tjera malore të vendit tonë dhe ia arriti qëllimit ! Sot pas 21 viteve, themeluesit dhe drejtuesit e këtij grupi, Fran Kodra dhe Ndue Shytani, ndihen krenar për arritjen e shënuar që kënga dhe vallja e Dukagjinit jo vetëm mbijetoi por edhe u pasurua me krijimtari e interpretime të reja, mbi bazën e traditës së trashëguar ndër breza!
Vetëm në skenat e shfaqjeve, 21 koncertet tradicionale të “Treves”, ku rezulton të jenë agazhuar mbi 1200 këngëtarë, instrumentistë, vallëtarë e humoristë, janë ndjekur nga rreth 20 mijë artëdashës, ndërkohë që e gjitha kjo pasuri artistike, është e sistemuar edhe në rrjetet sociale. Meritojnë mirënjohje të gjithë, nga bashkëthemeluesi i këtij grupi, i ndjeri Mëhill Çuni, ndër këngëtarët më të spikatur të Veriut të Shqipërisë dhe deri tek artistët vegjël 10- 12 vjeçar që iu bashkuan të rriturve sonte në skenën e teatrit “Migjeni”! /Nga Musa KURTULAJ, publikuar në Facebook/