
Thuhet se është budallallëk të bësh të njëjtën gjë vazhdimisht dhe të presësh një rezultat ndryshe. Por në rastin tonë, ky nuk është budallallëk. Është strategji e institucionalizuar.
Humbja e radhës nuk ishte befasi. Jo. Ajo ishte logjike, e pashmangshme dhe aq e sigurt sa agjenda e qokave para çdo fushate.
Kur kontributi nuk vlen, kur sakrifica për vite me radhë shpërblehet me heshtje dhe kur listat mbushen me “nuse e krushq” politikë, që s’dinë të flasin as në një mbledhje partie, e jo më të përfaqësojnë elektoratin.
Çfarë tjetër mund të presim përveç humbjes?!
Dikur kishim një bazë që sakrifikonte pa asnjë shpërblim. Sot kemi drejtues që nuk dinë të mbajnë një fjalim koherent, por dinë për mrekulli të shoqërojnë liderin në dasma, dreka dhe darka. Kjo, mesa duket, është e vetmja përvojë që u kërkohet.
As integritet, as përvojë, as përballje me bazën. Mjafton një “Po, shef” në kohën e duhur dhe lista të pret, jo vetem ty, por dhe grupin e shoqërimit.
Qark pas qarku, vend pas vendi, drejtues të paaftë u vendosën si flamuj në erë, që vetëm valëviten, por nuk dinë kah shkon era, as fushata.
Një farsë e trishtë, ku më të zotët e terrenit u lanë jashtë, ndërsa “miqtë e miqve” u promovuan si “heronj të rinj”.
Nuk fituam zgjedhjet. Fituan qoka dhe ato, për fat të keq, nuk numërohen si vota.
Në këtë parti, faji është gjithmonë jashtë: tek qeveria, tek mediat, tek populli “që nuk na kupton”, por kurrë nuk guxojmë të shohim brenda.
Të pranojmë se kemi ngritur një sistem ku kontributi është mall pa vlerë, dhe ku besnikëria ndaj bindjeve politike është zëvendësuar me besnikëri personale ndaj të fortit të radhës.
Humbja nuk ishte aksident. Ishte pasojë.
Për derisa të kuptojmë se meritokracia nuk është luks, por domosdoshmëri, do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë dhe të presim, me një naivitet gati mitologjik, një rezultat ndryshe.
Pra, nuk jemi thjesht budallenj. Jemi besimtarë fanatikë të një “ideali” që e quajmë parti, por që në realitet funksionon si një klub privat, ku bileta për të hyrë nuk është puna, kontributi, qëndresa apo meritokracia, por përulja.
Zgjidhja është një dhe vetem nje; kthimi tek vlerat në politikë, integriteti, besnikëria ndaj parimeve, guximi për të sfiduar “status quo”, që janë kthyer në retorikë zbukurimi, jo në kritere për avancim.
Kjo është tragjike, sepse politika nuk mund të jetë e fortë pa individë me shtyllë kurrizore.
Një parti që nuk shpërblen vlerat brenda vetes, nuk mund të kërkojë që shoqëria ta bëjë këtë. Një lidership që nuk u jep vend kontributorëve, nuk mund të pretendojë reformë,sepse nëse brenda nuk funksionon meritokracia, si mund të ndërtohet ajo në shtet?!
Duhet të marr fund “Sistemi i qokave” sepse Ai i mban larg njerëzit që sjellin ide të reja, që nuk pranojnë të jenë pjesë e pazarit, që duan të kontribuojnë përtej interesit personal.
Për këtë arsye, kemi ngelur në vend. Jo se nuk kemi njerëz të zotë, por sepse ata nuk lejohen të ecin përpara.
A mund të dalim nga ky rreth? Po, por vetëm nëse ndryshojmë mentalitetin, jo thjesht figurat… /Nga Mimoza REXHVELAJ, publikuar në Facebook/