
Jo, nuk e dini, ose nuk doni ta dini… Nuk është vetëm mungesa e unitetit. As mungesa e një lidershipi të besueshëm. As përçarja e brendshme, që tashmë është bërë si një plagë e hapur përballë syve të publikut.
Ajo që po e vret realisht Partinë Demokratike është servilizmi.
Ky servilizëm patetik, i përditshëm, që na serviret në çdo ekran, në çdo dalje publike, në çdo “analist” të njëanshëm, në çdo status të rremë, që i këndon lavde atyre, që nuk kanë më as guximin të dëgjojnë të vërtetën.
Po e vrisni kështu. Po e mbytni. Jo me sulme nga jashtë, por me përulje të turpshme nga brenda…
Partia Demokratike u ngrit për të sfiduar frikën, jo për t’u përkulur përballë interesit personal.
U ndërtua për të përfaqësuar qytetarin, jo për të ushqyer një kastë, që mban pushtetin e saj të vogël, duke shitur mendime të mëdha, që nuk i beson më askush.
Partia Demokratike nuk është pronë e askujt dhe as nuk shpëtohet me duartrokitje të rreme. Shpëtohet vetëm kur fjala kthehet në vlerë, kur kritikët nuk anatemohen, por dëgjohen.
Kur nuk jemi më spektatorë të një telenovele politike, ku çdo aktor lexon fjalët e porositura dhe publiku ikën, sepse e di skenarin përmendësh.
Mjaft më me këtë lloj përuljeje që na turpëron të gjithëve. Demokracia nuk është “po” e pafundme, por e drejta për të thënë “jo” kur drejtimi është i gabuar… Hajt shëndet! /Nga mimoza REXHVELAJ, publikuar në Facebook/