NGA MEVLAN SHANAJ – Lukë Kaçaj, zëri i artë i Operas që pas burgut punoi si hamall…E vrau xhelozia e miqve

Ndër emrat e mëdhenj botëror të belcantos kisha dëgjuar Enrico Carusso si tenor i pakrahasueshëm dhe Beniamino Xhili. Një emër i madh dhe shumë i komentuar te Opera e vjetër ishte Lukë Kaçaj, sipas pëshpërimave gjatë kohës së studimeve kishte pasur vlerësime maksimale duke e krahasuar me këngëtarin e tyre më të madh të gjithë kohërave- Chaljapin! Nga Zef Çoba një shtesë (një detaj i treguar nga të gjithë shokët e Lukës, studentë bashkëkohës në Konservatorin ‘Çajkovski’ të Moskës: Studenti i kantos, basi Nicolaj Ghiaurov (nga Bullgaria), në provim këndonte gjithmonë para Lukës, kurrë mbas Lukës….Ky artist është shpallur nder më të mëdhenjtë e shek. (XX), çka i ka taku me kenë Lukë Kaçajt? )

Në Tiranë ishte padyshim vokali më tronditës edhe pse në ato vite ishin një grup me solistë të operës dhe baletmaestra që mbanin një repertor botëror! Kujtoj: Gaqo Çako, Mentor Xhemali, Gjoni Athanasi, Avni Mula e tj si edhe Agron Aliaj me Zoica Haxho një dyshe e shkëlqyer, apo Skënder Selimi, Panajot Kanaçi, Besim Zekthi, Miltiadh Papa, Xhemil Simixhiu etj. Nga viti 1967 u organizua një si tip koncerti në Operën e vjetër ku golin e bëri Lukë Kaçaj! Më kujtohet” Don Bazilio “nga Berberi i Seviljes i Rosinit dhe “O ju male” nga filmi Skënderbeu. Po në atë kohë si studentë nëpër këmbë të së njëjtës godinë ishim miqësuar me Luk Kaçën. Miqësia erdhi spontanisht, ne ju afruam për ta uruar për suksesin dhe aty shkëmbyem nga një fërnet, që ishte më e preferuara për gjigantin Luk Kaçaj.


Pas ca kohësh shkuam në Dajti se aty kishte fërnet Branca, pija italiane që për kohën mbahej si më e mira! Pasi u kthyen disa gota, Luka trupmadh kishte zbërthyer këmishën dhe nga kënaqësia hodhi një gotë në kokë që t’i rridhte mbi gjoks. Ne si studentë të rinj u mrekulluam nga gjesti bohem i bas baritonit më të mirë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më gjerë. Thuhej se ishte zëri i dytë në Europë për nga përmasat. Italianët që gjithë herët kanë ndikuar në kulturën tonë, shquheshin për tenorët po ky zëri i pjekur i trashë gjëmonte dhe tundte xhamat e sallës kur jepte koncert. Kështu me këtë natyrë “populiste” me ne studentët, bëheshim shumë herë si të barabartë në tavolinë. Në një rast erdhi në lokalin ku ishim ulur, Ana e bukur deri në bukuri, e shoqja veshur krejt në të zeza. Luka u çua dhe vajti i dha zarfin.

Ishte dita e rrogave, asaj me sa duket i ishin nevojitur lekët dhe erdhi papritur të vinte Luka në shtëpi! U kthye Luka në tavolinë dhe na tha, më kishte dalë prej mendjes që Ana po më priste në shtëpi! Pas disa kohësh u takuam edhe në Gradishtë ku po xhironte në filmin “ Dasma” (Ismail Kadare, regjisor Piro Milkani) aty në atë film ishin edhe Albert Minga, Timo Flloko! Sigurisht ishte ngjarje e bukur që Luka po interpretonte në film. U takuam dhe pasi u përshëndetëm provuam edhe nga një gëzuar rakie, nuk kishte fërnet! Më pas nuk di si rrodhën ngjarjet, por u çuditëm që ky gjigant u arrestua në mënyrë demonstrative në Institutin e Arteve ku ishte pedagog dhe u burgos! Atë e kishin larguar nga Opera në kulmin e karrierës dhe sipas zërave, shkak ishte madhështia e tij që e hëngrën xhelozët. Dihet që kudo xhelozia është shkatërrimtare, por në rastin e Lukës ishte vrastare. Pasi e larguan nga opera ziliqarët, ai punonte si pedagog i kantos në Institutin e Arteve. Është koha që ndoshta e mbyste trishtimin me ndonjë gotë! Krejtësisht e pabesueshme akuza “ Agjitacion Propagandë” për aq sa e njihnim jo ne, por studentët e tij direkt. Të vetmen gjë që nuk kishin dëgjuar nga artisti i përmasave botërore, pakënaqësitë për kohën. Ishte shumë i përmbajtur si një nxënës i zellshëm i shkollës së Françeskanëve në Shkodër, për të cilën ishte krenar.

Aty ishte zbuluar talenti i tij i një djali të ardhur nga Bajza! Kishte pamje malësori tipik në paraqitje si nga shtati dhe pamja! Pasi kishte ditë që kishte dalë prej burgu shtatlarti, po ecte i vetëm, buzë Lanës me plepa. Isha veti i dytë, ndalëm para tij për ta takuar, ai eci drejt nuk na përshëndeti dhe as që ndali! Mbetëm të shtangur! E biseduam më pas përse nuk përshëndetet Luka?! Na thanë që kur doli nga burgu, ka mbetur në hallet e tija, nuk përzihet me askënd. Punonte për të mbijetuar si hamall diku nga Pazari i Ri. Mendoni hamall, këngëtarit që kur kishte dhënë koncerte në disa vende i ishin bërë oferta për ta mbajtur! Të gjitha i kishte refuzuar (nga pohimet e hetuesve kur ishte i burgosur). Më vonë në RTSH isha si shef dhe nga Julian Napoleoni, erdhi si skenar Luk Kaçaj.

Ishte një ngjarje e bukur. U bë me përkushtim dokumentari dhe për të gjithë ne qe një kënaqësi! Na buronte së brendshmi një gëzim për ta shumëzuar madhështinë e këtij martiri të regjimit diktatorial të një artisti në përmasa europiane. (Ky dokumentar duhet të jetë në Arkivin e RTSH).Mendoj se do jetë dënuar vetëm e vetëm nga shpifjet e kolegëve që stimuloheshin shumë në ato vite , por edhe pse ishte françeskan katolik që i shkonte për shtat çdo intrigë! Te shpirti i tij kishte vetëm art pasi notat muzikore i jepnin lirinë. Filozofia e tij ishte ajo e mësuesit të tij At Gjergj Fishta “Ku asht shpirti i Zotit, aty ashtë Liria” (Ubi spiritus Domini ibi libertas) Sikur të kisha mundësi të pyesja atë burrë të mençur Fishtën: A kishte ëndrra në fund të jetës dhe të çfarë karakteri? A i ishin pakësuar miqtë me kalimin e viteve pasi të njohurit dihet që shtohen deri në fund të jetës! A kishte ditë që nuk donte të mbante inat me veten? Po të keqes i kthente krahët, i qëndronte heshtur apo i rrinte përballë!

P.S. Zef Çoba, më thotë se sot pushon në varrezat e Bajzës! /Nga Mevlan SHANAJ, regjisor dhe aktor/