
Imazhet që tregojnë një vajzë që heq flamurin nga shtiza në selinë e Ambasadës së Izraelit, gjatë natës së të shtunës, ishte pamja më e shëmtuar që kam parë gjatë ketyre 21 ditëve të protestës.
Kjo i dha bojë shkruesve si Berat Buzhala që ta quajnë këtë si “sulm ndaj ambasadës së Izraelit nga protestuesit” dhe Tiranën ta krahasojë me Teheranin e vitit 1979.
E para: Nuk mund të mos shpreh habinë, se si është e mundur që një vajze arrin të hipë deri në tarracën e ndërtesës e të heqë flamurin nga shtiza, pa e ndaluar askush, pikërisht në një vend ku edhe po ecësh duke shikuar, tërheq vëmëndjen e sigurisë.
E dyta: Çdokush në atë protestë, organizator publik apo i fshehur, apo edhe një protestues i thjeshtë, duhet të distancohet nga ky veprim dhe nga ky person!
Izraeli ka qenë dhe është një vend shumë i rëndësishëm aleat i shqiptarëve.
Izraeli nuk është përgjegjës për problemet tona me veten dhe me qeveritë që zgjedhim, apo lëmë të zgjidhen në emrin tonë.
E treta: Përtej etiketimeve të mercenarëve si Buzhala, Shqipëria nuk është Irani e Tirana nuk është Teherani, as i vitit 1979 as i 2026.
Një revoltë qytetare, të cilën e kanë ndihmuar më së miri edhe “imazhe televizive” si Buzhala, nuk është një revolucion islamik.
Në qoftë i vullnetshëm veprimi i një individi apo nje grupi individesh, ky është një veprim, një incident, i kufizuar që duhet dënuar, pa mëdyshje. Por, të krahasosh një protestë masive me një revolucion islamik që solli në pushtet Ajatollahët, është antishqiptare.
Shqipëria ia ka dalë të mbajë nën kontroll për mrekulli çdo lloj rryme ekstremiste, pa e cënuar laicitetin e shtetit dhe harmoninë mes besimeve fetare. Për këtë ka patur konsensus të padiskutueshem politik dhe bashkëpunim të padiskutueshem institucional.
Berati nuk i di këto gjëra sepse punon në sektorin e kozmetikës. Ndaj, çdo etiketim si fetare apo antisemite e një proteste qytetarësh të lirë, është poshtërsi kombëtare që duhet pështyrë nga çdokush! /Nga Mentor KIKIJA, publikuar në Facebook/




