
Një shëmtirë, një gungë kanceroze në lëndinat e virgjëra dhe malet krenare të shqiptarisë! Plagë injorance në zemren e një perle alpine, derdhje betoni përmes ekosistemeve të rralla natyrore, kanioneve, ujëvarave, lumit të kristaltë, majave të maleve dhe peisazheve mahnitëse. Tapet i shqyer pranë monumenteve, memorialeve dhe varrezave të njerëzve të medhenj, dikur vizitorë të huaj, që frymëzimin nga e veçanta shqiptare e gjetën aty.
Një erë e qelbur papërgjegjësie “alla Tiranase” që mbyll dritaret dhe dyert e kullave shekullore gjithmonë me shpirt të sinqerte e zemër të hapur. Forma më e mirë për të larguar qindra e mijëra turistë të huaj që vizitojnë Thethin në një vit.
U bë nami me reklama për studion e famshme italiane që projektoi Stadiumin “Air Albania”, u krekosën me materialet e ndërtimit gjermane…, e gjitha u bë për një kullë.
Ndërtimin e rrugës drejt shumë kullave po e ndjekin punëtoret e krahut, piketimin e rrugës e bën traktoristi, dallaveret bëhen me telefon. Po ndaj me ju disa foto nga muret mbajtëse, bordurat e denja për Laprakë dhe tuneli “panoramik” (pa asnjë funksion), punë e vitit 2020 në rrugën Qafë Thore – Theth.
Të ndërhyhet në këtë rrugë, është turp, simptoma me e rëndë e degradimit profesional dhe keqmenaxhimit të fondeve publike. Merrni urgjentisht masa, mos i njollosni alpet tona të bukura! /Nga Mark RUPA/