U mbyll edhé për kët vit ekspozimi i “Betlehemit të gjallë“, organizue për të 4-tin vit rradhazi prej famullisë Sh‘Pali & Sh’Pjetri me qendër fshatin Hajmel të Zadrimës, bashkia Vau i Dêjës.
Si çdo vit, edhé simijet, banorët e ksaj famullie, me përvuejtninë dhe dashamirësinë që i karakterizon, ofruen veten dhe produktet e tyne për me na dhânë nji mrekulli si kah ana estetike e shpirtnore, ashtu edhe kah ana organizative (logjistike), e gjitha në bazë vullnetare.
Edhe simjet ata u lânë vetëm, pa mbështetjen e askujt, posë të fretënve kapuçinë e motrave Stigmatine që prej vitesh kryejnë shërbesat fetare në famullinë e tyne (Sh‘Pali & Sh’Pjetri). Edhe simjet, eksponentë të pushtetit lokal e vêndor me fuqi vendim-mârrëse, kryen ritualin e rradhës, e në euforinë bajraktareske që i karakterizon, e shitën kët eveniment nëpër faqet e tyne zyrtare në rrjetet sociale, vetëm e vetëm me i shtue pikë figurës së tyne apo forcës politike që ato përfaqësojnë. Anji kontribut sado i vogël financiar nuk u dha apo u sigurue prej tyne; jo për me i shpërblye ata njerëz, sepse ata nuk e bâjnë kët për pagesë, por për me zbutë sadopak kostot e organizimit e me u lânë me kuptue se institucionet shtetnore të ktij vêndi e çmojnë kët angazhzim të tynin, mbasi kemi të bâjmë me nji eveniment që për kah vlerat që përcjell, i kalon kufijtë e bashkisë së Vaut të Dêjës tue mârrë përmasa kombtare. U mjaftuen vetëm me “Zoti iu dhashtë“!
E prap se prap, për 2 ditë, ata ia dolën me mbajtë mbërthye me mija njerëz mbrênda “krijesës së tyne“ të mbrujtun me plot dashní.
Nëse “Betlehemi i gjallë” do të ishte realizue diku në jug të Shqipnisë (Korçë, Vlonë, Gjinokastër etj.), pa mâ të voglin dyshim, do të kishte pasë nji zhurmë të madhe prej mediave kryesore të vendit, me kronika e reportazhe, e natyrisht nji mbështetje monetare prej Qeverisë Shqiptare, e cila, tue e trumpetue si diçka të jashtëzakonshme, pse jo, do e kishte shfrytëzue si nji mundësi të mirë me bâ show-n e rradhës.
Por fakti asht krejt tjetër, se ky organizim, i pakundshoq për kah tipologjia, u realizue atje, në Zadrimë, në nji krahinë në veri të Shqipnisë ku frymojnë do katolikë fanatikë e të mërzitshëm, që, edhe pse të shtypun, s’njohin kend tjetër mbi krye veç Zotit. Edhe pse sot Zadrima – nji trevë me potencial të jashtëzakonshëm agro-kulturor e lânun qëllimisht e vorfën – si shum treva të tjera të Shqipnisë po përjeton hemoragjinë e largimit të të rijve të saj, ajo ende vazhdon me prodhue kulturë e vlera, ashtu siç ka bâ ndër shekuj. Tue dhânë shpirtë në kjoftë, po pat momente të rândësishme për frymëzim, ajo ka me rilindë me nji vitalitet mâ të fuqishëm se kurrnjiherë. Nuk asht rastësore që në fazat e saj mâ të errëta, ajo i dha kombit tonë personalitete të nalta të kulturës, tue nisë me Gjon e Pal Gázullin, Dom Frang Bardhin, Dom Pjetër Zarishin, Át Gjergj Fishtën, Dom Nikollë Gázullin, Marubët (Kodhelët) e fotografisë etj., etj. Kjo për nji arsye krejt të thjeshtë, se ajo trevë, prej shekujsh ka lidhë nji kontratë të përjetshme me fenë e Krishtit, e cila, si çdo kontratë e “noterizueme“, ka përfitimet e detyrime (kostot) e saj.
Ktu nuk ka asgjâ për me mshefë! Fotot i mora prej fotografit Alfred Leci. /Nga Mario Gjergj Ják Paloka/