NGA MARASH Z. LOGU – Patronazhistët dhe ish- kompania e Ilir Beqaj…

Një javë pasi Lapsi.al publikoi skandalin e vjedhjes dhe përdorimit të paligjshëm të të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve nga Partia Socialiste, Ilir Beqaj shprehu habi në faqen e tij në Facebook për shqetësimin e qytetarëve për patronazhimin elektoral, pasi sipas tij, këtë e bënte çdo parti apo kandidat politik prej shumë vitesh.

Madje, Beqaj shkoi më tej duke thënë se këtë e bënin edhe demokratët amerikanë apo laburistët britanikë. Nuk pretendoj t’i njoh në detaje praktikat e partive në SHBA apo Britani, por di që në korrik 2019, Facebook u gjobit me 5 miliardë dollarë për shkak se i kishte dhënë akses në të dhënat e përdoruesve kompanisë Cambridge Analytica. Të dhëna, të cilat u përdorën në funksion të zgjedhjeve presidenciale amerikane në 2016.

Por, kjo është një çështje që nuk do të merrem më gjatë. Ajo që dua të merrem është në fakt një pyetje që u përhap me shpejtësi ditëve të para pas publikimit të të dhënave personale të qytetarëve të Tiranës: cila është kompania e mirëmbajtjes së e-albania? Mesa di, kjo pyetje nuk mori ndonjë përgjigje as zyrtarisht e as informalisht. Prandaj, gjatë orëve të gjata në KAS, ndërsa merreshim me shkeljet e shumta të proçesit zgjedhor të 25 prillit, ndër më të rëndat sigurisht vjedhja e të dhënave personale, më erdhi në mend kjo pyetje dhe vendosa të bëj një kërkim të thjeshtë në regjistrat publikë.

Në fakt nga një verifikim që bëra në të dhënat zyrtare të prokurimeve publike, më rezultoi që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), agjencia përgjegjëse për administrimin e e-albania, ka lidhur dy kontrata për mirëmbajtjen e e-albania me kompaninë INTECH+, përkatësisht në Gusht 2014 dhe Prill 2015, si dhe një kontratë tjetër për mirëmbajtjen e sistemit të gjendjes civile në Dhjetor 2015. Nga të dhënat e Thesarit të shtetit, të përpunuara nga Open Data, rezulton se vetëm në periudhën 2016 – 2017, kompania INTECH+ ka përfituar nga tre kontratat e mësipërme 45 transaksione thesari, në vlerën mbi 720 milionë lekë.

Dikush me të drejtë mund të pyesë, por si lidhet Ilir Beqaj me këtë histori. Në fakt, po nga një regjistër publik, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se kompania INTECH+ është themeluar në vitin 2001 nga Ilir Beqaj (51%) dhe S.S. (49%). Ndjekësit e vëmendshëm të zhvillimeve politike, e kujtojnë se në Tetor 2011, Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë kërkesën e deputetëve të PD-së për heqjen e mandatit të deputetit të Beqaj, për shkak se ndërkohë që ishte deputet kishte përfituar një tender për informatizimin nga Bashkia Durrës nëpërmjet INTECH+. Beqaj vendosi të qëndrojë ortak i kësaj kompanie deri në Gusht 2013, dy muaj pasi ishte zgjedhur deputet për herë të dytë.

Ilir Beqaj, deputet dhe sekretar për programin i PS-së, ka pasur akuza të shumta për korrupsion, veçanërisht në periudhën si ish-ministër i Shëndetësisë, që u karakterizua nga konçesionet miliona euro dhënë bizneseve pranë PS-së.

Të dhënat e mësipërme arrita t’i siguroj nga tre regjistra publik në më pak se një orë. Sigurisht ato nuk provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Partia Socialiste i vodhi dhe i përdori paligjshmërisht të dhënat e 910 mijë qytetarëve të Tiranës nëpërmjet ish-kompanisë së deputetit Ilir Beqaj.

Por, nëse do të isha prokuror i SPAK, përpara se të vrapoja për të sekuestruar serverat e medias online Lapsi.al, do të hetoja deri në fund këtë pistë. Mbase pyetjet e qindra mijëra qytetarëve të Tiranës, që u janë vjedhur numrat e ID, telefonit, adresat e banimit, adresat e punës, bindjet politike etj., do të merrnin përgjigje. /Nga Marash Z. LOGU, avokat/