NGA LUIGJ MILA – Kur isha i vogël e mendoja vertetë, kur u rrita e kuptova se nuk kisha asgja të ngjashëm me nji drague…

Nji e shtyme e fundit dhe ajo formë e çuditshme ku gjindej i mbeshtjellun trupi im, duel perjashta, tue u rrukullis në shtrojën me fier të thatë, përgatit posaçe për trupin têm të njomë. Kisha lind. Veçse ndyshe prej t’tjerëve. Isha i rrethuem me nji shtresë të hollë në formën e nji fshikëze, si nji botë e vogël dhe e ngrohtë e cila do hapte shumë diskutime, në ato krahina të etuna për ngjarje e mite.

Ndërsa përpëlitesha në qeskën e çuditshme, dy thoj të mprehtë u ngulën vrullshëm në membranën e hollë, tue m’ nxjerrë prej aty, për me më lanë ashtu shtri, pa asnji mbulesë, në atë ditë të freskët prillit. Kur hapa sytë, dy si trajta njerëzore, krejt në të zeza, mu projektuen në atë kube të ultë që shpohej aty- këtu prej kolonash drite që rreshqitnin prej të çameve të çatisë, ngarkue deri në perkulje, me rrasa gurit.

Kishin metë te shtanguna prej asaj që panë. Kurrë në jetën e tyne, të mbushun plot me eksperienca të ngjashme, nuk u kishte ndodhë me asistue në nji lindje te tillë. Panë njana- tjetrën n’ sy e gati njizanit bertitën “Drague”.

– Nuk duhet me e marr vesht ma shumë se tre vetë, tha njana.
– A i thomë s’ amës?
– Jo jo, prit i herë, tha tjetra.
– Po kujt me i thanë pra, pyeti gati me gulshim e para.
– T’ jatit.

Britmat e mia therëse u’ a ndërprenë bisedën e njana u suell vrullshëm drejt mjet, tue ma rrethue trupin e lagun me dy duer të stërmëdha, me gishta t’ nyejshëm si dy degë rrushkullit rritun në shulla.

– Ça asht?, pyeti njana.
– Paj djalë ka me ken se drague femën s’ kam ndie kurrë. Veç i keq boll.

ShkodraWeb Channel

M’afroi e m’ hukati n’gojë tue m’ lëshue gjithfarë aromash, mbledhun ndër sheka djathit, vozga rakijet e qypa tlyenit.

– Kërthizën bërtiti tjetra. Tehat e përlugun t’ nji palë gërshanë kovaçit, rrëshqitën mi njana-tjetrën, tue lshue i tingull t ’metalt e trupi i jêm u shkëput përgjithmonë nga ajo fole e butë dhe e ngrohtë ku me aq kujdes më kishte mbajt për gati nji vjetë.

– Ku e kena leshin e delmes, tha ekspertja gisht trashë, e tjetra me i herë ma pshtuell rreth trupit i shllungë t’ verdhë leshit erërand, me ndoj bagel t’ varun aty- këtu.
– A i ka kallzue kush njati njerit, pyti njana?

E kishte fjalën për i burrë t’ hajthëm që sillej nëpër oborr, tuj marrë herë i dru e herë i hu, demek se po baj diçka e menden e kish ma shumë te grueja sesa te fëmija. Fundja i kishte edhe katër, ndër ta edhe dy djem si princa.

– Ti a s’ po dvet ça t’ ka le a, e pyeti si me shpoti njana prej grave.
– A asht shnosh, pyeti ai thatë e shkurt.
– Po mana shnosh si molla.
– Po e ama, pyeti si shkujdesun, pa e msheh shqetësimin.
– Edhe ata e ke shëndosh e mirë, ia kthej ajo si me t’therun.
– Për dy ditë, bahet me shkue për dru.

Nuk vonoi e fjala u hap kudo se filanit i kishte le edhe i djalë. Kjo nuk ishte ndoj’ gja e madhe se djel kishte, e hisja s’ pat me u fik por puna e asaj qeses u ba e madhe. Po me dragonin ça u ba, mund pyetni ju me të drejtë. Drague nuk pati.

Askush se kuptoi se si ndodhi. I pjesë menduen se plakat e shpikën vetë kët punë me marrë ndoj peshqesh, i pjesë, përfshi edhe gjyshen teme, ishin të sigurtë se dragoni u prish sepse e muerën vesht ma shumë se tre vetë. Në fakt e mori vesht gjithë katundi.

Ndërsa unë… Kur isha i vogël e mendoja vertetë, ndërsa kur u rrita e kuptova se nuk kisha asgja të ngjashëm me nji drague. /Publikuar në Facebook nga Luigj MILA me titullin “Lindja”/

ShkodraWeb Channel

Open

Close