
Jam bijë nga Dukagjini, jam gjak Marash Pali, jetoj në Dardani, në Pejë. E ndjeva obligim njerëzor dhe kombëtar që të shfryj mllefin tim se pse ju, pushtetarët e “devotshëm” të Shkodrës, nuk po i përkrahni vlerat kombëtare, kërkesën e qytetarëve tuaj e tonën. Pse duhet t’ju pengojë një shtatore në Shkodër e Lekë Dukagjinit, kur i dihen botërisht vlerat dhe kontributi i tij shekullor?
Shtatorja e Lekë Dukagjinit është krenari kombëtare jo vetëm në Shkodër, por në të gjitha qytetet e Shqipërisë natyrale. Duhet të vendosim shtatore edhe në trojet e Dardanisë – Kosovë, sepse ne padrejtësisht jemi të ndarë me kufij koti. Pas Skënderbeut, komandant me vlera kombëtare dhe i paanshëm ishte Lekë Dukagjini. Nuk dua t’ia përmend vlerat kur dihen botërisht vlerat e legjendarit tonë, Lekë Dukagjinit.
Kujt i pengon shtatorja e komandantit legjendar Lekë Dukagjinit? Pse mundoheni t’i minimizoni vlerat kombëtare? Pa ditur të ardhmen, si mundemi të vazhdojmë e të besojmë të tashmen? Pse ju, pushtetarët e cilësdo parti qofshi, po i frikësoheni shtatores së Lekë Dukagjinit? Heroizmi e vlerat e Lekë Dukagjinit nuk mund t’i shlyejë asnjë kohë e asnjë sistem apo parti politike. Nuk mund ta quaj demokraci e as zhvillim politik të mirëfilltë kur nuk përkrahni kërkesat e popullit. Kjo tregon se çdo pushtetar që vjen në pushtet është i varur nga direktivat e partive të tyre.
Çdo pushtetar e di shumë mirë se burrat e Dukagjinit nuk iu trembën as turkut e as shkaut; luftuan me pushkë e me penë t’i mbrojnë vlerat e tokat tona ilire e dardane. Apo ndoshta ju partiakë po tërhiqeni për të mos ua prishur vëllazërim-bashkimin me turkun e shkaun, prandaj ju pengon përmendorja në Shkodër e Lekë Dukagjinit?
Për juve pushtetarë të cilësdo parti, pa dallim, më të rëndësishme janë disa krimba që i keni vënë në hyrje të qyteteve, që nuk kanë asnjë kuptim, ndërsa përmendoret e heronjve tanë që lanë me gjak këto troje, vetëm e vetëm mos të na sundojë këmba e gjakatarëve, hijenave shekullore. Pse jeni kaq cinikë ndaj vlerave kombëtare? Pse injoroni vlerat kombëtare, ju pushtetarë të pa pushtetshëm? Pushteti nuk mbahet me matrapazllëqe e me antivlera.
Përmendorja këtij burri të madh kombëtar do të vendoset herët apo vonë, dëshironi apo nuk dëshironi ju, por çfarë mbetet për ju pastaj? Përveç shtatores së Lekë Dukagjinit, do të vendoset edhe përmendorja e Shtatë Shaljanëve, të cilët nuk lanë këmbë turku të hyjë në trevat e Dukagjinit. Më vjen keq për cilëndo parti që ishte në pushtet të fusë veshët në lesh e të heshtë për heronjtë legjendarë të kombit tonë.
Ne e dimë shumë mirë se çdo epokë ka historinë dhe vlerat e saj jetike të pakrahasueshme me asnjërën. Këtij shqetësimi po ia shtoj edhe një vërejtje: pse mos të shtrohet rruga e Dukagjinit cep më cep, kur e gjithë Shqipëria përfiton nga turizmi nga ai vend? Pse duhet të presim që ndërkombëtarët të vijnë e të na thonë? Kur ne kemi vlera, kemi njohuri që shtetin tonë ta mbajmë e ta mbrojmë në çdo fushë.
Le të mendojmë drejt e mirë për kërkesat e qytetarëve dhe vlerat e kombit tonë, mos t’i anashkalojmë. Nuk është e lehtë para 100 vjetëve të mbrohet shteti nga fjala e nderi i dhënë nga burrat e fjalës dhe besës. Reflektoni drejt, për hir të rinisë sonë, sepse ata dëshirojnë të dinë për vlerat dhe kontributet e çdo kohe dhe çdo sistemi. Le të shkruajmë historinë drejt, jo me brryla e me inate. Këto ishin shqetësimet e mia si dukagjinase. /Nga Kumrie Abdyl SHALA, publikuar në Facebook/