NGA KOLINDO VJERDHA – Shkodra, qyteti i braktisur nga politika…

Qytetarë fisnikë që vazhdojnë të punojnë me shpresën e ditëve më të mira për veten dhe familjet e tyre, sot shohin një gjendje pandryshueshmërie edhe pse vitet kalojnë. Shkodra, qyteti që përfaqëson dokun kulturor, qytetarinë, duke shërbyer si mburojë krenarie për secilin politikan që shkel në të, sot tregon shumë pak nga ç’ka pas saj fshihet. Një politikë denigruese, dashakeqase është prezente çdo ditë mbi këtë qytet duke frenuar hovin zhvillimor dhe lënë atë në rënie të lirë që nga politikat e munguara qëndrore e deri te ato lokale.

Qytetarët e dinë mirë hijen e rëndë që shohin çdo ditë që nis nga mungesa e investimeve e prek më pas gjithë sektorin ekonomik. Po të ndalemi të analizojmë aspektin e një ekonomie zhvillimore, kjo nis që tek bizneset. Niveli i ulët i shërbimeve që ofrojnë, ul fitueshmërinë gjë që përkthehet më pas në një treg punësimi denigrues dhe aspak konkurues. Sektori privat është gjithmonë shumë hapa pas dhe kjo si pasojë e mungesës së politikave shtytëse. Mungojnë investitorë seriozë të cilët të ofrojnë paga dinjitoze dhe të hapin fronte të reja pune. Është shumë e thjeshtë të zbarkosh në Shkodër si një turist-politikan me trastën e mbushur plot me premtime, por që në fund qytetarët nuk shohin asgjë të prekshme.


Turizmi trumbetohet si një sektor prioritar, por nëse do ishte kështu vërtet Shkodra do kishte ekonominë më të shëndoshë, ama këto shkruhen vetëm në letër. Me detin, liqenin, lumenjtë e malet, kjo parajsë natyrore mbetet pre e mungesës së investimeve. Infrastruktura të lëna përgjysmë e investime që bëhen pa plane afatgjata. Plani urban i qytetit dhe gjithë zonës që përfshin Bashkia Shkodër duhet të jetë hapi themeltar mbi të cilin duhet të ecim. Një plan afatgjatë i mirëdakortësuar nga të gjithë aktorët dhe faktorët, për të shmangur më pas investimet që mbijnë si kërpudha kur karriget ndërrohen.

Jemi shumë hapa pas. Të mendosh vitin në të cilin jetojmë e akoma qytetarët kanë po të njëjtat problematika të tilla si infrastrukturë, drita e mirëqënie tregon gjendjen e mjerueshme të këtyre zonave. Është e vështirë në përceptimin e përgjithshëm që sot ka akoma familje në skamje, ka akoma zona pa prespektiva zhvillimore që lihen në mëshire të fatit, zona ku aksesi në rrjetet digjitalizuese si telefonia, interneti apo televizioni është një luks i shtuar për tryezat e boshatisura. Po t’i shtojmë kësaj edhe situatën aktuale të një krize të re të shoqëruar me një rritje të përgjithshme çmimesh, plotëson tablonë migjeniane që pllakos një qytet të tërë. Me të ardhurat që familjet shkodrane disponojnë si pasojë e një tregu të varfëruar ekzistues pune, padyshim që e ardhmja shihet e ngjyrosur shumë gri.

Të gjithë ju, të zgjedhur e përfaqësues të këtij populli, mundohuni t’i ndryshoni faqen këtij qyteti sepse përndryshe rrezikojmë shpopullimin dhe kthimin në një kamp pushimi për moshën e tretë. Koha për të gabuar ka mbaruar! /Nga Kolindo VJERDHA, për ShkodraWeb/