NGA KOLINDO VJERDHA – Letër e hapur drejtuar maturantëve…

Të nderuar maturantë,

Duket se situata po na vë të gjithëve në një sprovë të madhe, por më shumë nga këdo po ju vendos juve, maturantëve të 2020-ës, po vendos në sprovë ëndrrat tuaja. Në këto kohë të gjithë ju po mendoni se ku do ju gjej e nesërmja e kuptohet që shumë prej jush janë ende të dyzuar mes zgjedhjesh. Kjo situatë padyshim që i ka komplikuar edhe më shumë mendimet tuaja, por edhe zgjedhjet që do të bëni duke mos ditur saktësisht si do të vijë fundi e kur do të jetë ai.


Ky vit rezervon për ju edhe testimet, të cilat për ata që duan të vazhdojnë studimet në Shqipëri janë një element shumë i rëndësishëm. Këto provime barazohem me sakrificën e tre viteve punë për të arritur dëshirat tuaja, gjë që edhe kjo vlen për diskutim, por nuk është ky momenti. E nëse studentët e viteve paraardhëse e kanë ditur fare mirë dhe kanë qënë të parapërgatitur, ju sot keni një zymtësi informacioni, i cili ndryshon nga dita në ditë. Kjo padyshim nuk është e lehtë për askënd duke ditur se në këto kohë ju përcaktoni fillimet e drejtimit që do të marrë jeta juaj. Secili nga ju pret një zgjidhje sa më të shpejtë që të filloni të përgatitni veten për sfidat që ju presin dhe kjo është diçka krejt e drejtë. Tashmë dyzimit të zgjedhjeve tuaja i është shtuar edhe trysnia e kësaj situate. Ministria e Arsimit duhet të japë zgjidhje sepse praktikisht po hyjmë në muajin e fundit të këtij viti mësimor. Po praktikohen metoda të ndryshme në vende të botës nga testimet online e deri te provimet në stadiume. Nuk ka pse të presim më në marrjen e një vendimi sepse kjo do të qartësonte edhe maturantët. E sidomos kjo zymtësi në informim rëndon mbi ata që duan të vazhdojnë jashtë studimet, ku kanë një sërë dokumentacionesh që duhen plotësuar, duke i shtuar kësaj edhe afate të mirëpërcaktuara. Maturantët nuk mund të mbahen me shpresë duke ditur që janë në një moment shumë të rëndësishëm përsa i përket vendimarrjes.

Të nderuar maturantë e sidomos ju që do të qëndroni në Shqipëri, tregohuni shumë të kujdesshëm në zgjedhjet që do të bëni, sepse ky sistem nuk ju ofron kthim pas. Eksperienca e viteve të shkuara ka treguar që jo të gjithë kanë arritur të kapin degën që kanë dashur, kjo për pasojë të listës përzgjedhëse që kanë bërë në të cilën kanë vendosur degë të cilat nuk i kanë patur preferencë. Tregohuni të matur dhe bëni zgjedhjet e duhura për të cilat të mos pendoheni më pas. E nëse jeni në dyzimin mes të shkolluarit brenda apo jashtë vendit edhe këtu duhet të mendoheni mirë. Të shkolluarit në vetvete është një investim kolosal e sidomos jashtë vendit. Familjet shqiptare e kanë të vështirë ta përballojnë këtë në shumicën e rasteve. Edhe po jua ofruan si mundësi dijeni se e bëjnë me plot sakrifica dhe kjo për ju duhet të jetë një përgjegjësi e madhe. Kuptohet që kushtet në universitetet jashtë vendit dhe modelet mësimdhënëse janë shumë më të mira e për këtë nuk ka askush asnjë dyshim e kjo si pasojë e një investimi të vazhdueshëm që ata bejnë në arsim. Ndoshta kjo është ajo që na diferencon me shtetet e tjera më të zhvilluara, konceptimi i arsimimit si baza e vazhdimësisë së shtetit. Një shoqëri e mirëarsimuar nënkupton një shoqëri të profesionalizuar dhe të përgatitur për vazhdimësinë. Prandaj nëse zgjidhni të largoheni për shkollim dijeni se barra juaj është shumë më e madhe. Secili nga ju njeh veten prandaj duhet t’i bëjë mirë llogaritë.

Për ata të cilët janë në dyzimin mes një universiteti privat apo shtetëror do kisha thënë vetëm një gjë, mos bini pre e opinionit. Të qënurit në një universitet privat është një praktikë që e njeh gjithë bota. Kushdo që ka mundësi zgjedhjeje duhet të bazohet në kushtet e universitetit ku do të shkojë, si dhe cilësinë e mësimdhënies. Në shumicën e universiteteve shtetërore mungojnë kushtet për zhvillimin e një mësimdhënie dinjitoze gjë që privati ta ofron. Padyshim që ky nuk është një mesazh për t’iu drejtuar universiteteve private, përkundrazi vjen si një thirrje për instancat shtetërore që të ndërhyjnë. Personalisht zgjedhja që kam bërë ka qënë që të drejtohem drejt një universiteti shtetëror, por ajo që jo vetëm unë prek çdo ditë, po edhe të gjithë studentat e tjerë në të gjjithë Shqipërinë i referohet një gjëje. Duhet të bëhen më shumë investime përsa i përket infrastrukturës dhe kushteve të mësimdhënies që një universitet shtetëror ofron. Nuk vazhdohet më me teorinë që është vetëm pedagogu ai që e bën universitetin të një cilësie të lartë, por duhen edhe shumë komponentë të tjerë duke nisur nga laboratoret e deri tek infrastruktura. Kushtet në një institucion arsimor janë po aq të rëndësishme sa edhe vetë mësimdhënia. Prandaj dijeni që zgjedhja iu takon ju, por para se ta bëni shkoni dhe vizitoni ambientet e universitetit, kushtet që ai ofron që më pas të jeni të bindur për zgjedhjen që do të bëni.

Për ta përfunduar uroj që secili nga ju të realizojë synimet e veta. Në këto kushte në të cilat ndodhemi, sado probleme të ketë sistemi nuk na ngelet gjë tjetër vetëm të përshtatemi me të dhe ç’ka është më e rëndësishmja të dijmë të përballemi që sakrificat e gjithsecilit nga ju të mos bien poshtë. /Nga Kolindo VJERDHA, dërguar për publikim në ShkodraWeb Media/