
Më kot lodhet Bedri Islami të minimizojë figurën e Benet Becit, një intelektuar i njohur, i kompletuar dhe specialist dhe jo politikan, e indirekt me shkrimet e veta të lërë nën hije fitoren e tij e duke ja atribuar kësisoj çdo meritë Elisa Spiropalit.
Si gazetar di të vlerësoj punën në grup, që kur harmonizohet ka sukses, por në këtë rast nuk ka qenë çdo gjë në meritë të zonjës Spiropali. Analizat e punës së saj në grup le ta bëjë partia dhe nuk kanë asnjë interes publik.
Nuk do të kisha reaguar po te qe një shkrim i vetëm kalimtar i këtij gazetari, por se është hera e dytë që pushton pa hesap faqet e gazetës “Dita” e ngre e vur fitorja e Eliza Spiropalit. Ditirambe pafund. Fitore e madhe e Elizës. Meritat e saj si oratore,….që në të vërtetë i shan opozitarët si një mashkull i keq.
Gazetari në fjalë e di shumë mirë kush e solli fitoren, por nga që i shërben me përkushtim shefes politike i thur asaj hymne të tepruara, për të mos thënë të pa meritueshme.
Dua ti them kolegut gazetar se, Shkodra ime dhe e tij, nuk ishte para një plebishiti politik. Nuk bëri zgjedhje politike, por votoi për një zyrtar publik, në interes të qytetit. Kaq vështirë qenke të kuptohen ndjesitë e qytetareve shkodranë.
Para zgjedhjeve bëra një shkrim ku vura në dukje se Shkodra duhet të bëjë një zgjedhje të mençur, të shoh interesat e veta e jo të politikës. Të zgjedhë personalitetin e figuren që premton të bëjë ndryshime, por jo krahun politik. Pas zgjedhjeve shkrova përsëri që “Shkodra bëri atë që duhej të bënte”.
Shkodra votoi specialistin Benet Beci që në punët e kryera kishte dalë me sukses dhe kishte reputacion publik. Ai jepte siguri që do të sillte ndryshime. Prandaj populli duke u bindur në vlerat e kandidatit e votoi për kryetar Bashkie pavarësisht se cila ishte mbështetja politike për të.
Mos ja zvogëloni meritat Benet Becit zoti gazetar. Është ai që ka marrë mbi shpatulla një barrë të rendë dhe përgjegjësi të mëdha e askush tjetër. Padyshim partia që e mbështeti në kanditaturë duhet të vazhdojë ta mbështesë që kryetari Beci të mos dështojë në programin e tij ambicioz për të sjellë risi në jetën e amulltë të qytetit verior. Me çfarë them nuk dua të ul punën e grupit, as të Eiza Spiropalit si kuadër udhëheqës i PS, po që pikat të vihen mbi i dhe ti jepen secilit meritat personale që ka, të evidentohen aftësitë që zotëron.
Po fundja po ngre një hipotezë, sikur kandidate në Shkoder të ishte Eliza Spiropali, që ti gazetar e ngre në zenit, a do të zgjidhej kryetare Bashkie? Për kë do votonte Shkodra?
Them se jo, madje ajo nuk do të arrinte të merrte as votat e Degës së PS Shkodër, që ngado që ta vertitesh është në minoritet politik në këtë qytet.
Shkodra ka shpirt progresist demokratik, por u tregua e zgjuar kur zgjodhi Benet Becin. Vetëm kësaj here Shkodra luajti me politiken sepse që 3 dekada ka luajtur politika me Shkodrën duke e lënë në prapambetje.
Vazhdoj të shpresoj e besoj se kurrë më politika nuk do të mund të luaj arushë me Shkodrën. Pyesni të vjetrit çfarë do me thënë kjo shprehje dhe binduni për këtë. Kësisoj, Shkodrën nuk e fitoi askush. Shkodra fitoi vetveten. /Nga Kolec P. TRABOINI, publikuar në Facebook/




