
I rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1949. Ishte nga një fshat i Shqipërisë së jugut, por prej vitit 1952 banonte në një qytet kryesor të vendit. Në vitet 1936-1944 shërbeu si ndihmësprift. Pas vitit 1945 shërbeu si prift.
Për herë të fundit, “Skifteri” u dërgua në vitin 1969 me mision në Stamboll. Aktiviteti vlerësohej kështu: “Ka mbajtur dhe mban qëndrim të mirë në të gjitha drejtimet. Është tip i zgjuar, i logjikshëm dhe di të manovrojë sipas situatave që i paraqiten dhe t’i sqarojë çështjet. I pëlqen të jetë në lidhje me organet tona. Detyrat i kryen mirë. Në takime është i rregullt, ka ruajtur dhe ruan konspiracionin e punës. Për punë të mirë është shpërblyer edhe me lekë”.
Pavarësisht se feja ishte ndaluar në Shqipëri, në Stamboll ishte krijuar një kishë ortodokse e kontrolluar nga punonjësit e kamufluar të Sigurimit në legatën shqiptare të Ankarasë, por e cila nuk kishte prift. “Skifteri” u nis në Stamboll, por misioni i tij dështoi, Patriarkana e Stambolli e vuri shpejt nën kontroll këtë kishë dhe ai u rikthye në Shqipëri.
Vite më vonë, në korrik 1991, ai ishte në grupin që priti në Rinas eksarkun Anastas Janullatos, duke shkëlqyer me praninë e tij. Është në foton e asaj dite. “Skifteri” i rivësh prift dhe meshoi edhe 4 vjet të tjera, deri ditën kur kambana e kishës që drejtonte lëshoi tingujt e zisë për vdekjen e tij. /Nga Kastriot DERVISHI, publikuar në Facebook/